Tirana po ndërmerr një hap të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe të bëjë qytetin më mikpritës për të gjithë qytetarët.
Ish-Blloku, një nga zonat më ikonike të kryeqytetit, do të transformohet në një zonë pedonale, duke i dhënë përparësi këmbësorëve për të nxitur ecjen. Ky projekt vjen si pjesë e një iniciative të gjerë nga Bashkia e Tiranës për të krijuar një qytet më të sigurt dhe miqësor për fëmijët, të moshuarit dhe të gjitha grupet shoqërore që shpesh janë të nënvlerësuar në infrastrukturën urbane.
Ray Koçi, këshilltarja për Planifikimin Urban Miqësor në Bashkinë e Tiranës, theksoi në emisionin "Mirëmëngjes Shqipëri" në RTSH se ky projekt synon të bëjë qytetin më të aksesueshëm, duke krijuar hapësira që nxisin aktivitetet sociale dhe turizmin, ndërkohë që përmirëson cilësinë e jetesës për banorët e zonës. Ajo tha se zona e Ish-Bllokut, e njohur për frekuentimin e madh nga automjetet, do të ketë disa rregullime për të reduktuar trafikun, duke bllokuar disa rrugë, si rruga “Ismail Qemali” dhe rruga “Pjetër Bogdani”, dhe “Brigada e VIII” për automjetet.
“Ky propozim vjen në kuadër të axhendës së bashkisë që është afatgjate dhe synon ta kthejë qytetin në mikpritës dhe infrastrukturë cilësore për të gjitha grupet kryesish për fëmijët, familjet, grupmoshat më të mëdha, ato që nuk janë të përfaqësuar shpesh në infrastrukturën e qytetit. Bashkia Tiranë është përpjekur të vë në gjithmonë në fokus këto grupe dhe zona e ish bllokut ka ardhur edhe si pasojë e simbolikës që përfaqëson por edhe si zonë që ka një numër të lartë biznesesh, por edhe në politikat për ta bërë qytetin më miqësor për ecjen dhe për t’u bërë një qytet më i mirë. Lëvizja e makinave do të kufizohet në akset “Ismail Qemali”, “Pjetër Bogdani” dhe “Brigada VIII””, tha Koçi.
Sipas saj, ky projekt do të ketë një ndikim të madh pozitiv edhe për bizneset lokale, ku rritja e numrit të këmbësorëve dhe turistëve do të krijojë mundësi të reja për këto biznese.
“Bizneset do të frekuentohen më tepër nga këmbësorët pasi do të shtohet koha dhe mundësia e njerëzve për të hyrë në këtë biznese. 64 % e bizneseve janë kafene e restorante që përfitojnë shumë nga ecja në këto rrugë. Gjithashtu nga situata aktuale, fëmijët nuk mund të futen ne dyert e shkollave dhe kushteve se janë të uzurpuara nga automjetet. Zgjidhja ideale në atë zonë është të ecës për të zgjidhur këto punë të përditshëm. Një tjetër projekt që po punohet paralelisht është parkimi nëntokësor që po ndërtohet tek Garda që është 10 minuta nga zona e ish-Bllokut”, tha ajo.
Ky projekt ka për qëllim të krijojë një mjedis më të shëndetshëm dhe të këndshëm për qytetarët, duke i dhënë prioritet aktiviteteve sociale dhe lëvizjes pa pengesat e trafikut.
/rtsh.al/