RTSH 24 Live

Sociale

La Gjermaninë për Lezhën, historia e fizioterapistit që u rikthye në vendlindje

7 orë para

La Gjermaninë për Lezhën, historia e fizioterapistit që u rikthye në vendlindje

Pas tre dekadash emigracion, Ylli Ndreka, me profesion mjek-fizioterapist, la Gjermaninë dhe u rikthye në Lezhë.

Eksperiencën që e fitoi në Evropë vendosi ta sjellë në vendlindjen e tij, për t'i shërbyer komunitetit ku lindi dhe u rrit.

I apasionuar pas punës, Dr. Ndreka rrëfen se ata që e kanë njohur në Gjermani, bëjnë shumë kilometra rrugë për t'u trajtuar nga ai.

"Vijnë nga Maqedonia, nga Shkupi. Bëjnë tri orë rrugë për të ardhur këtu. Të ardhurat e Gjermanisë nuk i krahasoj fare. Unë kënaqem kur pacienti vjen te unë dhe e pyes 'si ndihesh'. Kur më përgjigjet me një urim fetar apo njerëzor është kënaqësi shumë e madhe për mua," tregon mjeku fizioterapist.

Në një kohë kur ka që shohin si zgjidhje largimin nga vendi, Ylli Ndreka mund të konsiderohet si shembulli më pozitiv se përmes punës dhe përkushtimit edhe në Shqipëri mund të kesh një jetesë të mirë.

Por nga ana tjetër ai kërkon më tepër mbështetje përmes politikave lehtësuese për emigrantët e kthyer.

"Duhet mbështetje e fuqishme për ne që marrim guximin dhe kthehemi në vendin tonë, për të arritur ato që kemi pasur në vendin ku jetonim," thotë Dr. Ndreka.

/rtsh.al/