Një 15-vjeçar është arrestuar nga blutë e Mirditës pasi po transportonte armë dhe municion luftarak.
Në kuadër të operacionit të koduar “Sinjali”, policia e Mirditës në bashkëpunim me atë të Lezhës, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të 15-vjeçarit i cili po transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak.
Blutë po punojnë për të provuar qëllimin e transportimit të këtyre sendeve, nga 15-vjeçari, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas po transportonte armë zjarri dhe armë shpërthyese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Sinjali”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, në afërsi të fshatit Fang, teksa transportonte 3 granata, 1 armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, shtetasi E. S., 15 vjeç, banues në Burrel”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/