Pak para hapjes së panairit më të madh ndërkombëtar të turizmit në botë, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit” për 2025, Kryeministri Edi Rama bëri një pasqyrë të ndryshimit që ka pësuar ky sektor përgjatë viteve dhe si është arritur të ndryshohet mendësia që vendi të mos shihet më si “Koreja e Veriut e Evropës”.
Kryeministri Rama citoi kartën e Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, që e rendit Shqipërinë si vendin me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik.
“Do ishte vështirë të përfytyrohej për ne pak vite më parë ky aktivitet. BILD jo shumë larg në të shkuarën, na rezervonte artikuj jo fort të këndshëm, por tashmë Bild shkruan duke thënë se: Shqipëria nuk është më destinacion i panjohur, por pritet të bëhet diell i nxehtë për ata që duan diellin e plazhin në 2025.
Bazuar në kartën e turizmit të OKB, deri më tani Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë, po kështu kemi dhe aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë deri më tani.
Shohim turistët gjermanë që po vijnë. Jemi ambiciozë për të marrë më shumë turistë gjermane. Dikush më tha: dita kur turistët gjermanë do vijnë në Shqipëri, progresi juaj do jetë i pakthyeshëm.
Ishim Koreja e Veriut e Evropës, ishim tashmë të rritur kur aeroporti ynë kishte vetëm pak mijëra udhëtarë në vit që duhej të ishin marksist-leninist që të hynin në vendin tonë. Ne ishim të izoluar nga Europa, Perëndimi e Lindja. 11 milionë udhëtarë që kanë kaluar më 2024, duke tejkaluar shifrat e Beogradit, aeroporti më i madh tipik në rajon.
Për disa vite mbetemi në 3-shen kryesore në kartën e Organizatës Botërore të Turizmit. Ne s’kishim as kupën botërore, e as Mekën. Ne jemi siç ka qenë njëherë Gjermania në kupën e botës, të parët”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/