Pas Athinës, Berlini është stacioni i radhës i kryeministrit, Edi Rama. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë shqiptare, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të dielën në mbrëmje. Në Athinë, Rama mori pjesë në Panairin e Punës për nismën me kthimin e emigrantëve në Shqipëri, duke bërë oferta pune. Edhe në Berlin Rama pritet të marrë pjesë në çeljen e Panairit të Turizmit, më i madhi në botë, ku Shqipëria është zgjedhur si vendi i nderit për vitin 2025.
“Mirëmbrëma nga Berlini. Pas një dite vërtetë në Athinë, në panairin e parë të punës, ku 120 kompani nga Shqipëria prezantuan ofertën e tyre, për një gamë të gjerë vendesh pune, erdhëm këtu në Gjermani, ku Shqipëria do çelë nesër Panairin e Turizmit, si vendi i zgjedhur i nderit për vitin 2025. Kush e mendonte deri disa vite më parë Shqipërinë në këtë pozicion. E ftuar si vend nderi në panairin më të madh të botës për turizmin”, thuhet në video-mesazhin e Ramës.
Kreu i qeverisë nënvizon se në Panairin e Turizmit në Berlin, qeveria shqiptare është përgatitur që të lërë një mbresë të veçantë, me ofertën dhe prezantimin e Shqipërisë.
“Kur ne morëm detyrën kishte vetëm turizëm patriotik pas vëllezërve dhe motrave nga Kosova e shqiptarëve që ktheheshin në shtëpi nga emigrimi apo Maqedonia e Veriut. Ne jemi bërë vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Evropë, dhe renditemi prej tre vitesh radhazi në 3 vendet e para të klasifikimit të Organizatës Botërore të Turizmit në shkallë kontinentesh. Nga një popullatë nga 4,3% akses në aviacion kur ne morëm detyrën, sot kemi 32% akses në aviacion për banorët rezidentë të Shqipërisë.
Ndërkohë që për të tretin vit radhazi aeroporti i Tiranës e ka kaluar atë të Beogradit për numër pasagjerësh, duke arritur vjet shifrën rekord të 11 milionë pasagjerëve. Shifra e 12 milionë turistëve nga një hartë e larmishme, ku figurojnë për herë të parë edhe mijëra japonezë, amerikano-latinë apo australianë ishte për 2024 një tjetër zhvillim i mëtejshëm i ekonomisë së re të turizmit shqiptar.”, thekson Rama.
Sipas tij, nesër, në prani të shumë mediave dhe gazetarëve, “ne do jemi së bashku me drejtuesit e panairit që në mëngjes, për një ditë të jashtëzakonshme nxemjeje që kulmon pasdite me spektaklin e Shqipërisë, ndërsa pasnesër në mëngjes, në pavionin e Shqipërisë, edhe në praninë e autoriteteve të shtetit gjerman këtu në Berlin, do hapet zyrtarisht panairi i turizmit.”.
“Jam shumë krenar, vërtetë shumë krenar që ia arritëm këtë ditë dhe që do t’i bëjmë posaçërisht krenarë shqiptarët e Gjermanisë me praninë dhe rolin e Shqipërisë në këtë eveniment të madh global të turizmit", mbyll postimin Rama.
/rtsh.al/