Partia Demokratike publikoi rezultatet e primareve për 12 qarqet e vendit. Sipas demokratëve, në këtë proces u shënua pjesëmarrje e lartë, me më shumë se 50.850 anëtarë të Partisë Demokratike.
Ndër emrat më të votuar renditen figura të njohura të Partisë Demokratike, që janë edhe deputetë aktualë, si Jorida Tabaku, Dashnor Sula, Bledion Nallbati, Luan Baci, Sajmri Korreshi, Ina Zhupa etj.
Në Tiranë, që është edhe qarku më i madh, sipas të dhënave zyrtare morën pjesë 13 mijë anëtarë. Kuota minimale që duhet të siguronte një kandidat për të fituar ishte 144 vota, ndërsa në garë ishin 82 kandidatë.
Qindra kandidatë e provuan veten në primaret e së shtunës dhe tashmë pritet që Kryesia dhe Këshilli Kombëtar t'i japin formë listës përfundimtare të kandidatëve, që do të dorëzohet në KQZ.
Në Durrës, demokrati më i votuar rezultoi Igli Cara, në Berat ishte Zija Ismaili; në Lezhë, Gjin Gjoni; në Korçë, Bledjon Nallbati; në Kukës, Shkëlzen Ibra; në Gjirokastër, Alma Buci Kore; në Dibër, Ilir Krosi; në Shkodër, Ramadan Likaj; në Elbasan, Dashnor Sula; dhe në Vlorë, Ina Zhupa.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/