Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Milano, deklaroi se mbështetja ndërkombëtare për PD-në po rritet.
Ai theksoi se mbështetja ndërkombëtare për opozitën po rritet, duke përmendur se më këtë rast edhe strategun kryesor, që, sipas tij, riktheu Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe që tashmë është pjesë e fushatës së PD.
“Kush do ta besonte, nëse do ta thosha disa muaj më parë se për të drejtuar fushatën tonë ka ardhur kryestrategu i planetit? Apo se qindra parti të qendrës së djathtë, në tre rezoluta, do të dënonin regjimin e Edi Ramës dhe narkodiktaturën?”, u shpreh Berisha.
Në këtë takim ai denoncoi edhe qeverinë e socialistëve, duke e cilësuar atë “një regjim që grabit pasuritë e shqiptarëve dhe burgos kundërshtarët politikë”.
“Ju jetoni në një vend të lirë dhe e dini se nuk ndodh që kundërshtarët politikë të burgosen për të vjedhur mandatet. Nuk ndërtohen rrugë dhe shkolla me 10-fishin e çmimit për të grabitur qytetarët. Nuk pasurohet një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë me pasuritë e popullit”, tha Berisha.
Në fund të fjalës së tij, Berisha ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e këtij ndryshimi.
“Do të bëhet gjithçka nën moton: ekonomi, ekonomi, ekonomi! Shqipëria Madhështore do të jetë krenaria jonë, një vend i fuqishëm dhe i begatë. Shqipëria e shpresës realizohet në 3 muaj! Një paketë emergjence që nxjerr çdo shqiptar jashtë varfërisë ekstreme. Çdo shqiptar që do të kthehet në Shqipëri do të jetë 5 vite pa asnjë taksë dhe do të ketë stimuj të tjerë për nxitjen e investimeve në vend. Shqipëria madhështore do të jetë Shqipëria e krenarisë sonë. Shqipëria madhështore do të jetë Made in Albania! Mendoni për një moment, fshatrat nga ku keni ardhur, pasuritë përrallore që ka vendi, nuk i ka vend tjetër në aq territor në Evropë dhe në Botë! Do të bëhet gjithçka nën moton, ekonomia, ekonomia, ekonomia! Shqipëri prodhuese, markat shqiptare do mbushin dyqanet, do vërshojnë”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se, “pikë së pari do të jet, zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe së dyti, audit i përgjithshëm”.
“Ku shkuan 57 miliardë euro të këtyre viteve, ku i depozituan, në çfarë i shndërruan? Do t’i merren, do iu kthehen qytetarëve.”, tha ai.
Ju jap fjalën, vijoi Berisha, se Shqipëria do shndërrohet në një epiqendër të fuqishme të teknologjive të larta në rajon dhe Evropë.
Kreu i PD-së deklaroi se një nga shtyllat kryesore të programit të tij është “pastrimi i shtëpisë”.
“Shtëpia jonë do të pastrohet! Po si mund të hyjë Zoti në një shtëpi të ndotur? Librat e shenjtë thonë se duhet pastruar më parë. Sot shtëpinë e kanë në dorë hajdutët më të mëdhenj të kohërave. Kryeministri aktual nuk është gjë tjetër veçse një ‘Toto Rino’”, tha Berisha.
Berisha, gjatë një takimit foli edhe për projektin ‘Ballkani i Hapur’, duke e cilësuar atë si një dëm ekonomik për shqiptarët.
“Ballkani i Hapur stop. Do të hidhet në kosh! Argati i Vuçiçit do të përgjigjet për krimin ekonomik që ka kryer ndaj shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Ai u bëri thirrje emigrantëve të angazhohen dhe të kontribuojnë për ndryshimin politik në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e votës për të rrëzuar qeverinë aktuale.
/rtsh.al/