SPAK në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze dhe greke, ka zbuluar dhe goditur një grup të strukturuar kriminal që operonte në Shqipëri dhe Greqi. Grupi i dyshuar merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht kanabis sativa, dhe vepronte kryesisht në zonat e Sarandës, Tepelenës dhe Gjirokastrës dhe më pas tregtohej në Greqi.
Lidhur me hetimet GJKKO ka lëshuar 10 urdhër-arreste, shqiptarë dhe të huaj, mes të cilëve edhe ish-punonjës të policisë, të cilët kanë abuzuar me pozitat e tyre për të ndihmuar grupin, konkretisht K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A), që dyshohet se janë drejtuesit e grupit, dhe B.T, SH.K, XH.B, L.B (alias E.S), E.H, E.D, SH.R dhe E.A.
Nga hetimet SPAK ka dokumentuar disa aktivitete kriminale të grupit, përfshirë kultivimin në zona të mbyllura, transportimin e drogës përmes pikave kufitare dhe pastrimin e parave të përfituara nga veprimtaria kriminale.
“Gjatë viteve 2019-2021, evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa, krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i tij dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A). Anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal që kryente trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi, dyshohen se janë edhe shtetasit italianë L.B dhe D.C, të cilët janë dënuar në Republikën e Greqisë për këtë veprimtari të kundraligjshme, si dhe shtetasi nën hetim B.T. Punonjësit e policisë së shtetit E.D dhe E.H, dhe SH.R, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme”, njofton SPAK.
Sasi të mëdha droge, me vlerë rreth 1.7 milionë euro, janë sekuestruar gjatë hetimeve, ndërsa disa punonjës të policisë janë përfshirë në shpërdorimin e detyrës duke ndihmuar grupin kriminal.
“Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi. Nga hetimi, evidentohet fakti i pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nga të ardhura të dyshuara prej përfitimit nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe kultivimi i bimëve narkotike nga personat nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A) dhe SH.K, të cilët si gjatë periudhës së veprimtarisë kriminale në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike, ashtu dhe pas kësaj periudhe, kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, me qëllimin e vetëm, pastrimin e produkteve të veprës penale”, njofton SPAK.
Gjithashtu nga hetimet paraprake evidentohet se gjatë periudhës së viteve 2019-2021, shtetasit nën hetim E.H, E.A, E.D dhe SH.R, punonjës policie, me veprimet e tyre të kundraligjshme të kryera me dashje, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorim i detyrës duke kryer/apo moskryer me dashje në vazhdimësi veprime apo mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre si punonjës të policisë së shtetit.
“-E.H, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë ndër të tjera dhe punonjës policie në Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit, si dhe është larguar nga Policia e Shtetit në vitin 2022.
-SH.R, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën pranë Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, ndërsa në momentin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ishte me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë.
-E.A, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa në momentin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ishte me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje.
Është shpallur në kërkim punonjësi i policisë E.D, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë , ndërsa aktualisht ishte me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë”, njofton SPAK.
Pas operacionit të SPAK, Policia e Shtetit ka pezulluar 3 punonjësit e policisë dhe ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre, konkretisht:
- Sh. R., me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë.
- E. A., me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë.
- E. D., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, i shpallur në kërkim.
Operacioni është realizuar me mbështetje të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke çuar në ekzekutimin e vendimit gjyqësor dhe sekuestrimin e provave materiale si telefona dhe armë. Hetimet vazhdojnë dhe po zhvillohen kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera për të identifikuar dhe ndaluar anëtarë të tjerë të mundshëm të këtij grupi kriminal.
/rtsh.al/