RTSH 24 Live

Aktualitet

Përkujtohet Kuvendi i Lezhës, Begaj: Rëndësia te mesazhi i bashkimit dhe forcës kombëtare

02/03/2025

Përkujtohet Kuvendi i Lezhës, Begaj: Rëndësia te mesazhi i bashkimit dhe forcës kombëtare

Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, duke risjellë në vëmendjen e të gjithë shqiptarëve se mesazhi historik i Kuvendit të Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur kurrë rëndësinë e tij.

Presidenti theksoi se mesazhi "Bashkimi bën fuqinë", që u formulua në këtë ngjarje historike, është një mesazh që mbetet i vlefshëm edhe sot, pasi bashkimi i shqiptarëve është kyç për forcimin e vendit, për sigurinë dhe zhvillimin e tij.

“581 vite më parë, nën udhëheqësinë e Gjergj Kastriotit, u mbajt Kuvendi i Lezhës, i cili shënoi krijimin e një aleance të fuqishme politike e ushtarake për t’iu kundërvënë pushtimit e mbrojtur trojet e të parëve. Mesazhi historik që vjen nga Kuvendi i Lezhës, “Bashkimi bën fuqinë”, nuk e ka humbur asnjëherë vlerën dhe rëndësinë e tij. Shqipëria bëhet më e fortë, më e sigurt dhe më e begatë nga kontributi i gjithësecilit, nga bashkimi i energjive pozitive të të gjithë shqiptarëve, kudo ata janë”, shkruan Begaj në facebook.

Kuvendi i Lezhës i vitit 1444 është një ngjarje shumë e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që shënoi një moment kulmor të bashkimit të shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj. Ky kuvend u thirr nga Gjergj Kastrioti dhe morën pjesë prijës të ndryshëm shqiptarë nga krahinat e ndryshme të vendit.

Ata u bashkuan në një aleancë të fuqishme, me qëllim që të mbroheshin kundër Perandorisë Osmane, duke krijuar një front të përbashkët për të luftuar për lirinë dhe sovranitetin e trojeve shqiptare. Kuvendi i Lezhës është një simbol i bashkimit dhe i forcës kolektive.

/rtsh.al/