RTSH 24 Live

Politikë

Panairi i Punës nesër në Athinë, Rama thirrje shqiptarëve: Ejani, kemi punë për ju me paga të arsyeshme

01/03/2025

Panairi i Punës nesër në Athinë, Rama thirrje shqiptarëve: Ejani, kemi punë për ju me paga të arsyeshme

Kryeministri Edi Rama është nisur sot për në Greqi, ku do të marrë pjesë ditën e nesërme (2 mars) në Panairin e parë shqiptar të Punës në Athinë.

Nëpërmjet një video të publikuar në Facebook, Rama, i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të Greqisë t’i bashkohen në panairin e punës që do të mbahet në Athinë.

Rrugës për Greqi sot, nesër në Panairin e Punës në Athinë. Dje shqiptarët shkuan për të gjetur një punë matan kufirit, nesër Shqipëria sipërmarrëse do të shkojë për t’u treguar për punët që mund të gjejnë këtej kufirit.

Është hera e parë, shprehet Rama, “që Shqipëria e punës troket në derën e shqiptarëve të Greqisë për t’u thënë, ejani, kam punë për ju, me paga të arsyeshme, me taksa shumë më të ulta dhe me të gjitha aromat e vendit amë, që aq shumë mungojnë kur je jashtë”.

Ejani dhe kaloni të shihemi dhe të llafosemi nesër me sipërmarrës të fushave të ndryshme për t’ju njohur nga afër me mundësitë dhe për t’ju informuar për kushtet e kontratave të punës në Shqipëri. Pastaj, nuk diskutohet, gjykoni vetë, me qetësi, me urtësi, merrni kohë si të jetë më mirë për ju”, u shpreh Rama.

Gjithashtu në vidon e postuar, Rama ndau në rrjetet sociale pjesë nga fjala e tij në takimin që mbajti më 12 maj të vitit të shkuar me bashkatdhetarët tanë në Greqi.

Ju shqiptarët e Greqisë e patë fëmijët të mbytej në lot se kishte dalë më i miri në shkollë, por nuk iu dha e drejta e ceremonisë së flamurit dhe faji i fëmijës ishte se kishte ardhur nga foleja e shqipes dykrenare dhe nuk kishte lindur nën mbrojtjen e kryqit të bardhë, por, ja ku jeni. Ju shqiptarët e Greqisë nuk u dorëzuat kurrë dhe triumfuat, sepse ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që çfarë nuk pa dhe çfarë nuk hoqi nën këtë qiell, por asnjë fuqi apo padrejtësi e kësaj bote nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu”.

Ndaj theksoi kreu i qeverisë, “është koha kur për herë të parë mundësia e hyrjes në Bashkimin Evropian është kaq reale sa dritarja e hapur duket me sy, sepse për herë të parë yjet e fatit tonë dhe të fatit të Evropës janë rreshtuar në vijë të drejtë. Kanë rënë dakord me planin e përfundimit të negociatave të anëtarësimit deri në fund të 2027-ës. Një afat tejet ambicioz dhe shpejtësia me të cilën ne po ecim me hapjen e kapitujve të negociatave është më e larta në historinë e integrimit”.

Kjo është ngritja e dytë e dytë e flamurit kombëtar, pas asaj të Pavarësisë në 1912-ën. Kjo është shpallja e Shqipërisë shtet anëtar i barabartë i familjes së bashkuar evropiane. Kjo është “hakmarrja” më e ëmbël shqiptare dhe bekimi i të gjithë fëmijëve të shqipes, si krijesa të lira dhe përgjithnjë të barabarta të Evropës së bashkuar”, tha Rama.

“Prandaj, – vijon Rama, – të gjithë shqiptarëve, atyre të Greqisë dhe atyre të Evropës u them le t’i harrojmë të gjitha historitë dhe bla, bla, blatë e të sotmes, dasitë dhe partitë dhe le të kapemi dorë për dore dhe të bëhemi ylli i ri i në flamurin e Evropës së bashkuar duke u bërë më 11 maj fuqia e papërmbajtshme e ëndrrës evropiane të shqipes dykrenare. Pastaj të tjerat m’i lini mua, na i lini ne. Shumë shpejt dita që e kemi ëndërruar me shekuj për të qenë pjesë e asaj familjeje nga ku dielli lind atje ku perëndon, do të jetë dita jonë, dita e Shqipërisë në BE”.

 

/rtsh.al/