RTSH 24 Live

Politikë

Rama takon mësuesit shqiptarë në Greqi: Mbështetje për mësimin e gjuhës shqipe

21 orë para

Rama takon mësuesit shqiptarë në Greqi: Mbështetje për mësimin e gjuhës shqipe

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi një takim me mësuesit shqiptarë në Greqi, ku u prezantua për herë të parë një program mbështetjeje financiare për 50 mësues. Ky program, i cili do të shtrihet më pas edhe në shtete të tjera, është një hap i rëndësishëm për përforcimin e mësimit të gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë.

Rama shprehu kënaqësinë për realizimin e kësaj nisme dhe theksoi se ambicia është që numri i mësuesve të mbështetur të rritet në mënyrë të ndjeshme.

"Kemi bërë një hap të madh, por ambicia jonë është që ky numër të rritet dhe të arrijmë një nivel që asnjë zonë të mos jetë më e pambuluar me mundësinë për të mësuar gjuhën shqipe", u shpreh Rama.

Kryeministri shpjegoi se Shqipëria është në një moment tjetër historik, ku marrëdhëniet me Greqinë dhe autoritetet e këtij vendi janë përmirësuar ndjeshëm. Rama theksoi se një mundësi e madhe është hapur për Shqipërinë, duke iu referuar perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.

"Sot jemi në një pozicion tjetër nuk diskutohet edhe më vjen mirë të them që edhe marrëdhëniet me qeverinë këtu dhe me autoritetet këtu janë në një moment shumë më të mirë se sa ishin. Duhet të jenë akoma edhe më të mira, ne do bëjmë çmos të jenë më të mira, por ajo që është me e rëndësishmja është që ne na është hapur tani një dritare e madhe mundësie që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian dhe aty pastaj do të kalojmë realisht si popull, si komb, si shtet, si shoqëri shqiptare në një nivel tjetër dhe shumë nga gjërat që sot, pavarësisht se shqiptarët në Greqi, në Europë janë integruar ku e ku me çfarë mund të imagjinohej kur erdhën, do të ndryshojë dhe ndjenja e barazisë nuk do të jetë thjeshtë një burimi i vetëdijes që sa shumë gjëra kemi arritur të ndryshojmë për veten, por do të jetë edhe e vulosur zyrtarisht në të qenit anëtar të barabartë të Bashkimit Europian dhe patjetër që duke qenë së bashku me Greqinë në të njëjtën tryezë si të barabartë do të jemi edhe më të fortë si lagje këtu e Ballkanit dhe do mund të bëjmë gjëra edhe më të mira sesa çdo të mund të bënim nëse nuk do të kishim këtë status të ri”, tha Rama.

/rtsh.al/