RTSH 24 Live

Ekonomi

"Puno dhe jeto aty ku ke zemrën", përgatitjet e fundit për panairin e punës në Athinë

01/03/2025

"Puno dhe jeto aty ku ke zemrën", përgatitjet e fundit për panairin e punës në Athinë

"Jeto dhe puno aty ku ke zemrën" - Janë përgatitjet e fundit për panairin e parë të punës të organizuar nga qeveria shqiptare në zemër të Athinës, për të ftuar të gjithë shqiptarët, që prej vitesh jetojnë e punojnë në shtetin grek, që të rikthehen në Shqipëri për të investuar, por natyrisht edhe për punë dinjitoze me paga sikurse janë ato të vendeve të Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me disa prej ministrave kryesorë të kabinetit të tij, do të jenë këtu të dielën për të folur personalisht me të gjithë shqiptarët që jetojnë në Athinë. Së bashku me kryeministrin dhe kabinetin qeveritar do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të shquar të biznesit.

Panairi i punës me diasporën shqiptare mbledh profesionistë, sipërmarrës dhe institucione për të ofruar mundësi konkrete punësimi dhe investimi për ata që duan të rikthehen në vendin e tyre.

120 kompani shqiptare do të paraqesin vendet e punës që ofrojnë me paga nga 1 mijë deri në 6 mijë euro në varësi të kualifikimeve.

Panairi është konceptuar në disa panele diskutimi, ku do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, ministra, institucione ekonomike dhe bizneset më të mëdha nga Shqipëria, të cilët prezantojnë sektorët me potencial më të lartë: turizmin, ndërtimin, teknologjinë dhe administratën publike.

Dita do të përmbyllet me një koncert festiv, duke krijuar një atmosferë bashkimi mes komunitetit shqiptar në Greqi dhe mundësive të reja që ofron Shqipëria.

Një hap i rëndësishëm për të afruar më shumë diasporën me vendlindjen.

Gazetare: Denada Shkodrani

/rtsh.al/