Shqipërisë i kushton integrimi në Bashkimin Evropian rreth 7,6 miliardë euro.
Një dokument i politikave prioritare të qeverisë i datës 12 shkurt, në 70 faqe analizon me hollësi situatën dhe nevojat për kryerjen e proceseve të kërkuara gjatë bisedimeve të anëtarësimit. Ekspertët e shohin shifrën të përafërt me atë të llogaritur prej tyre.
“Janë marrë të dhënat nga burimet e buxhetit, burime që kanë lokuar ndër vite dhe kanë planifikuar të lokojë në fondet e Bashkimit Evropian dhe burime të tjera që vijnë nga partneritete që përgjithësisht janë për zhvillimin e vendit por janë edhe për plotësimin e standardeve. Në këtë mes llogaritjet janë bazuar mbi ato kosto që janë praktike dhe duke marrë parasysh të gjithë elementët që përcaktohet një çmim i caktuar”, u shpreh eksperti fiskal, Eduart Gjokutaj.
Kostoja e integrimit evropian të Shqipërisë ndikohet nga kohëzgjatja. Pikërisht për këtë, z. Gjokutaj mendon se zgjatja e procesit na kushton më shumë sesa kursimi nga shkurtimi i tij.
“Në momentet që jemi zvarritja është problemi më i madh i të gjitha punimeve, qoftë në infrastrukturë, qoftë në shpenzimet e ndryshme që kanë të bëjnë me digjitalizimin por edhe me ato shpenzime që lidhen me ambicie dhe angazhime që kanë të bëjnë me gjyqësorin”, tha Gjokutaj.
Një krahasim tjetër lidhet me raportin e kostove me popullsinë.
“Duke qenë se tashmë censusi u fut në një normë të caktuar për banorët, këto kosto janë rritur nga çfarë ishin më parë sepse kemi të bëjmë me më shumë shpenzime për më pak popullsi”, tha eksperti fiskal.
Numri i dokumenteve strategjikë mbi të cilat është llogaritur kostoja është 24. Prej tyre koston më të lartë e ka strategjia kombëtare për energjinë 2015-2030 me një total të përafërt rreth 1,5 miliardë euro. Pas saj shëndetësia përkundrejt integrimit vjen me kostot e 1.3 miliardë, euro, politikat sociale me rreth 1.2 dhe ato të arsimit me rreth 1.1 miliardë.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/