RTSH 24 Live

Ekonomi

Bonusi i pranverës, nga 3 marsi nis shpërndarja për të gjithë pensionistët

01/03/2025

Bonusi i pranverës, nga 3 marsi nis shpërndarja për të gjithë pensionistët

Të hënën e 3 marsit nis shpërndarja e bonusin pranveror për pensionistët. Përfitues janë 730,430 pensionistë brenda e jashtë vendit dhe bonusi do të mund të tërhiqet në pikat e Postës Shqiptare në të gjithë vendin dhe bankat e nivelit të dytë. Kreu i qeverisë, Edi Rama rikujtoi këtë lajm për të gjithë pensionistët përmes rrjeteve sociale.

Pensionistët që kanë pension bazë 20 mijë lekë do të përfitojnë 10 mijë lekë bonus dhe të tjerët 5 mijë lekë. Bonusi do të mund të tërhiqet deri më 30 shtator 2025.

Fondi për bonusin e pranverës ishte i përcaktuar që prej nëntorit 2024 dhe ky fond ishte i depozituar në Bankën e Shqipërisë me një vendim të qeverisë që mban datën 9 janar 2025. Ndërkohë që në dhjetor të vitit 2024 pensionistët morën një tjetër bonus, po i ndarë në dy fasha konkretisht prej 15 mijë dhe 10 mijë lekë.

Ndërkohë ka filluar puna për rishkimin e disa aspekteve të skemës së pensioneve përmes një reforme me konsultë nga institucionet ndërkombëtare.

Gazetare: Amela Koçerri

/rtsh.al/