Durrësi është prekur edhe nga një fenomen tjetër natyror, përveç përmbytjeve.
Në kodrat e Porto-Romanos janë regjistruar rrëshqitje masive toke, duke shkaktuar frikë tek banorët e zonës.
Çarjet e mëdha të tokës janë në një segment prej rreth 1 km, ndërkohë që banesat pranë kësaj çarjeje rrezikohen seriozisht. Banorët shprehen se situata bëhet më shqetësuese nga dita në ditë.
Ata shprehen se para një viti ka nisur një investim për ndërtimin e një kanali nga ana e bashkisë, duke ngritur dyshime për këtë investim.
"Rrëshqitjet janë shumë të rrezikshme dhe rrezikojnë të gjitha ndërtesat e kësaj zone. Kërkojmë ndërhyrjen e bashkisë dhe që të përmirësohet situata. / Kanali që u hap vjet nga bashkia, rreth 1,4 km, ka ngelur i pambuluar," u shprehën dy banorë.
Në vendngjarje shkuan sot edhe inspektorë të bashkisë, për të parë nga afër situatën.
Bashkia e Durrësit konfirmon se është në dijeni të këtij fenomeni, por e përjashton mundësinë që investimi për kanalin të ketë këtë shkaktuar rrëshqitjet masive të tokës në zonë.
Burime nga bashkia thanë se pas pak ditësh pritet të vijnë ekspertë të gjeologjisë, të cilët do të bëjnë studimin e zonës ku ka ndodhur rrëshqitja dhe më pas do të vendoset si të veprohet për eliminimin e pasojave të mëtejshme.
/rtsh.al/