Dashamir Shehi, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK), i ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH, e konsideron historike që diaspora shqiptare do të ketë mundësinë të marrë pjesë në zgjedhjet e sivjetme parlamentare, më 11 maj.
Megjithatë deputeti opozitar e quajti të rrezikshme atë që po ndodh me partitë politike, që "i janë turrur votave të diasporës" dhe po i përçajnë emigrantët, duke e çuar debatin politik nga Tirana nëpër botë.
“Unë mendoj se ne bëmë ligjin që ata njerëz të votojnë të lirë atje. Të votojnë se ata janë më të emancipuar nga ne dhe më të çliruar nga frika, sepse nuk punojnë e bëjnë biznes në Shqipëri,” u shpreh ai me gazetarin Nolian Lole.
“Propagandë partish në diasporë nuk duhet të ketë.”
Duke komentuar votën e diasporës, Shehi tha se partitë e mëdha po e shohin këtë gjë si një "thes elektoral ku mund të shtrijnë dorën e të rrëmbejnë sa më shumë". "Për mua," shtoi Shehi, "po i bëhet një dëm i madhe diasporës, por dhe demokracisë."
“Tani kush ka mundësi financiare apo dhe mjete të tjera janë turrur nëpër botë, ku e ku të rrëmbejnë vota. Kjo përplasje politike që kemi ne këtu po ia çojmë edhe atyre jashtë, sepse ata nuk kanë pasur fare interes politik, por tani me këtë trysni po ia çojmë dhe atyre andej duke i përçarë. Politika këtu po çon të njëjtin mentalitet përçarës.”
Sipas Shehit, kjo që po ndodh sot duke i kërkuar votën diasporës është një zgjatim i politikës sonë këtu në Shqipëri.
Shehi e sheh partinë e tij si një grupim alternativ me disidentë të Partisë Demokratike, që gjithmonë kanë pasur bashkëpunime në beteja të ndryshme elektorale.
“Ne jemi larguar nga PD-ja sepse nuk kemi menduar si shefat e PD dhe kur ka pasur kriza politike dhe brenda tyre, kemi pasur kurajon dhe të themi se çfarë nuk funksionin. Ne na bashkon një ide, na bashkoi një formulë se si do konkurrojmë në zgjedhje sepse ne kemi qenë për listë të hapur. Ne do dalim në zgjedhjet e 11 majit me listë të hapur. LZHK ka vendosur që dy partitë, që kemi hyrë bashkë në zgjedhjet e fundit, bashkë me Bindjen Demokratike të shkrihen në një por gjithashtu kemi vendosur të bashkëpunojmë dhe me partinë “Djathtas 1912”, por këtë orientim ta kemi dhe me partitë e tjera që dëshirojnë që të na bashkëngjiten për zgjedhjet parlamentare.”
Kryetari i LZHK-së, tha se ky koalicion ka avantazhet e veta për zgjedhjet e 11 majit.
“Ky bashkëpunim na avantazhon përpara partive të tjera politike, sepse në radhë të parë na avantazhon moralisht. Ne kemi zgjedhur betejën e hapur me qytetarin, ndërsa ata kanë zgjedhur strehën e ngrohtë me kryetarin, pra me lista të mbyllura. Së dyti kjo aleancë na avantazhon dhe në rrafshin pragmatist, sepse votat tona nuk shkojnë kot dhe nuk humbasin për shkak të ligjit tonë të keq që kemi në fuqi. Ndaj këto vota ne në njëfarë mënyre ia japim njëri-tjetrit dhe nuk shkojnë kot.”
Sipas Shehit e kundërta mund të ndodhë nëse palët do të dilnin të përçara, sepse do të rrezikonin humbjen e votave.
Për sa i përket bashkëpunimit me PD-në, lideri i LZHK-së tha se kjo është një histori e mbyllur, që iu dha fundi nga ligji dhe listat e mbyllura.
/rtsh.al/