Kushdo që ka dokumenta të skaduara identiteti ose i skadojnë deri në 11 maj, do të mundet të votojë me këto dokumenta. Ky është lëshimi më i madh që partia në pushtet do të bëjë në raport me emigrantët dhe mundësinë e ushtrimit të votës së tyre.
Lajmin e bëri të ditur në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, Sekretari Organizativ dhe Zgjedhor i PS, Damian Gjiknuri. “Qeveria ka marrë inisiativën që me akt normativ të zgjasë dokumentat e identifikimit për zgjedhësit që janë jashtë. Kush rregjistrohet në sistem, edhe nëse ka një dokument të skaduar, të ketë të drejtën të votojë.
Kjo vlen si për pasaportën, si për letërnjoftimin”- tha zoti Gjiknuri gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, kur po argumentonte pamundësinë e votimit të emigrantëve që s’kanë fare një dokument shqiptar identifikimi.
Kjo është një kërkesë e PD, sipas të cilës, janë rreth 150 mijë shtetas shqiptarë, që s’kanë patur asnjëherë pasaportë shqiptare, por duhen lejuar të votojnë me pasaportën biometrike të vendit ku jetojnë.
“Kjo është e pamundur teknikisht, sepse, që të rregjistrohen dhe të vitojnë, të dhënat e tyre biometrike duhet të jenë në rregjistrin bazë të gjendjes civile. Kush ka të dhënë biometrike, ka të drejtë të votojë. Pra çdo qytetar që ka vajtur një herë në zyrën e gjendjes civile pas vitit 2009, kur u ngrit ky sistem, e ka këtë të drejtë.”- theksoi Damian Gjiknuri.
Sekretari Organizativ dhe Zgjedhor, që udhëheq bisedimet për ndryshimet në Kodin Elektoral në emër të PS, beson se e vërteta e kërkesës së vonuar të PD-së ka të bëjë me rezultatin e pritshëm negativ në zgjedhje.
“Kemi pranuar gjithçka ka kërkuar PD për votën e emigrantëve, por nuk mund të pranojmë kushte që dalin në minutë e fundit një muaj para mbylljes së këtij procesi.
Ky është sebepi që nesër, kur të humbin zgjedhjet; të thonë se nuk e njohin rezultatin apo vota e emigrantëve u manipulua.”- tha Damian Gjiknuri për RTSH.
/rtsh.al/