Damian Gjiknuri është nga të paktët politikanë që nuk i shmangen pyetjeve të vështira. Dhe në këtë periudhë disa nga këto pyetje kanë të bëjnë me akuzat publike të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj se PS-ja ka zëvendësuar strukturat politike me ato të krimit.
Në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, gazetarja Elona Meço, i kërkoi zotit Gjiknuri edhe një koment për çështjen tjetër të ngritur nga Arben Ahmetaj për kanabizimin e vendit, si dhe si ndikojnë në zgjedhje, këto qendrime apo hetimet e SPAK-ut për figura të rëndësishme për PS, si kryebashkiaku Erion Veliaj.
PJESË NGA INTERVISTA
Damian Gjiknuri: Unë nuk jam absolutist nga natyra dhe në lidhje me zgjedhjet, besoj se gjithmonë do të ketë shkelje, do të ketë krime. Gjithmonë do të kemi episode, pasi episode ka në çdo vend të botës që ka një nivel të caktuar zhvillimi demokratik. Vetëm në kohën e Emverit nuk kishte episode, se nuk kishte zgjedhje.
Elona Meço: Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetëj nuk flet për episode, flet për një filozofi në PS, ku koordinatorët politikë të PS, janë zëvendësuar me koordinatorët e krimit dhe se sot PS-së i kanë rënë 4 qarqe, Tirana, Elbasani, Durrësi dhe Shkodra.
Koordinatorët politikë të PS janë të gjithë njerëz politikë, të ekipit politik, kështu që unë nuk kam komente për këtë. Nuk kam dijeni për këtë. Pra, koordinatorët që ka PS, drejtuesit politikë të PS, janë njerëz politikë.
Elona Meço: Keni një koment në lidhje me dëshminë e Arben Ahmetaj se një mbledhje, në një retreat të qeverisë në Durrës, vite më parë, ju ishin 1 ndër 5 ministrat që keni kundërshtuar fenomenin e kanabizimit?
Damian Gjiknuri: Mbledhjet e qeverisë kanë procesverbale.
Elona Meço: Edhe retreatet?
Damian Gjiknuri: Mbledhjet e qeverisë kanë procesverbale. Për të tjerat nuk kam asnjë koment.
Elona Meço: Pra, s’ka ndjodhur kjo?
Damian Gjiknuri: Kaq është përgjigja ime.
Elona Meço: E kuptoj që është e vështirë për të bërë komente në të tilla situata, por sa e dëmtojnë PS-në në elektorat të tilla deklarata si këto të ish-zv/kryeministrit apo hetimi aktual për kryetarin e Bashkisë së Tiranës?
Damian Gjiknuri: Nuk më vjen mirë për kolegë të partisë sime që mund të akuzohen dhe mund të provohen të fajshëm, megjithatë varet roli i individit dhe konteksti i përgjithshëm. Nëse individi e ka kryer brenda një filozofie politike me qëllime kriminale, patjetër që këto e dëmtojnë PS, por nëse individi ka abuzuar me detyrën e tij, ka bërë shkelje dhe PS nuk është e përfshirë si parti, në ato veprime që bëhen, PS nuk ka pse te marrë koston maksimale. Mund të marrë pak kosto, aty-këtu, por këto janë normale.
Elona Meço: Pra ju thoni që elektorati di ta ndajë kur është një parti e korruptuar dhe kur është një individ i korruptuar?
Damian Gjiknuri: Pa diskutim që e ndan elektorati këtë, por ajo që di të ndajë shumë mirë elektorati është se cila nga këto forca, alternativa, kush ka dhënë prova se di të qeverisë më mirë, kush është më i besueshëm për premtimet që jep, kush është më i mirë për interesat e zgjedhësve dhe në këtë mënyrë votojnë. Deri më sot aleternativa më e mirë ka qenë PS.
/rtsh.al/