RTSH 24 Live

Aktualitet

“Plug and Play” në Tiranë, Rama: brenda dy vitesh do të kemi laboratorë Smart në çdo shkollë

3 orë para

“Plug and Play” në Tiranë, Rama: brenda dy vitesh do të kemi laboratorë Smart në çdo shkollë

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Piramidën e Tiranës gjatë ceremonisë së platformës ‘Plug and Play’ e cila ka zgjedhur Tiranën si qendër e talenteve të saj në Ballkan.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama u shpreh se në pak javë do të çelet parku i teknologjisë ‘Durana Tech Park’ e cila do të mirëpres Start Up-et dhe kompanitë në fushën digjitale.

Është një transformim rrënjësor të mendosh që në pak javë akoma, ne çelim dyert e një parku teknologjik që do të mirëpresë të gjithë startup-et apo kompanitë që funksionojnë në botën dixhitale me legjislacionin më favorizues në të gjithë këtë pjesë të Europës. Dhe që tani kanë filluar shumë interesime nga kompanitë, qoftë nga kontinenti ynë, qoftë edhe deri nga Shtetet e Bashkuara, për t’u vendosur në atë park, i cili është midis Tiranës dhe Durrësit dhe quhet “Durana” Tech Park. Po ashtu, po përgatisim dhe bashkë me ADF-në do i japim jetë dhe “Vlora Tech Space” në qendrën që po përfundon së ndërtuari në Vlorë.

Nuk besoj se gjenden në  këtë qytet shumë njerëz, që mund të ngrenë dorën dhe të thonë që “Po, mua më kishte shkuar në mend që në vitin 2025, në Tiranë do të vinte të stacionohej Plug&Play”, vijon Rama, duke shtuar se, “ kjo është një platformë globale që ka nxjerrë shumë kolosë të teknologjisë digjitale dhe që do ta zgjidhte Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, si qendrën e vet për këtë pjesë të botës, duke u bërë një portë e hapur për të gjithë vajzat dhe djemtë, jo vetëm të vendit tonë, por të gjithë rajonit që kanë ëndrra dhe ambicie për t’u bërë të mëdhenj në botën digjitale, ku askush nuk ka, as nga asnjë formë ose mënyrë asnjë pengesë të natyrës diskriminuese”.

Më tej ai shtoi se, “në të gjitha shkollat do të kemi brenda një periudhe 2-vjeçare Laboratorët Smart. Ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim fazën e parë, e kemi përmbyllur me ADF-në dhe për ata që nuk e dinë pse ADF-ja ka gjithë të akses, është se jemi midis nesh këtu, që të jemi transparent, është sepse qeveria dhe ADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit”. Kështu që, nëse do të shikoni në internet Parkun arkeologjik, Amfiteatrin e Butrintit, historinë, mos u nisni atje, se “atje nuk ka gjë”.Gjithçka është marrë edhe është çuar diku” dhe falë këtij fakti “kemi përfituar edhe shumë para që nuk dimë ku t'i çojmë, edhe i hedhim kot për këto lodrat “plug and play” dhe ça janë këto të tjerat”.

Pak metra të tjerë më lart, është qendra e ekselencës për më të vegjlit, Tumo, shtoi kreu i qeverisë Rama, e cila mirëpret shumë fëmijë dhe përfitoj nga rasti që ta përsëris që është në gjendje të mirëpresë akoma më shumë dhe të gjithë ata fëmijë nga 12 në 18 vjeç që dëshirojnë të hyjnë në botën e teknologjisë janë të mirëpritur dhe falë bashkëpunimit të fondacionit Shqiptaro-Amerikan me bashkinë e Tiranës, kurset ofrohen tërësisht falas.

“TUMO-ja do të degëzohet, do rritet edhe në Shkodër, edhe në Elbasan e kështu me radhë”.

Në të gjitha shkollat do të kemi brenda një periudhe 2-vjeçare Laboratorët Smart. Ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim fazën e parë, e kemi përmbyllur me ADF-në. “

Plug and Play”, është platforma e mirënjohur globale për mbështetjen e Startup-ve, me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbërrin edhe në Shqipëri, e pozicionuar tek Piramida, për t’u ofruar sipërmarrësve të rinj shqiptarë, një mundësi unike për startup-et e tyre që të rriten, të tërheqin investime kapitale, të pilotojnë teknologjinë dhe të forcojnë praninë në tregjet lokale dhe globale. Programi i tyre është krijuar për t'u ofruar startup-eve akses të menjëhershëm në një përvojë globale dhe një rrjet të gjerë ndërkombëtar.

Platforma “Plug and Play” është zgjeruar globalisht në mbi 60 vendndodhje, në 25 industri me më shumë se 550 partnerë. Deri më sot, ka investuar në mbi 2000 kompani me vizionin për ta bërë inovacionin të hapur për këdo, kudo.

/rtsh.al/