Drejtoria e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar u njoh me deklaratën dhe pretendimet e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, lidhur me punonjësin e RTSH-së, Olsjan Laskaj.
Në respekt të publikut dhe komunitetit të gazetarëve, Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së hedh poshtë aludimet e pabaza për largimin nga puna të z. Laskaj.
Për nevoja të përmirësimit të punës, ky punonjës është lëvizur në një detyrë tjetër brenda Njësisë së Emisioneve Tematike dhe Lajmeve, duke respektuar plotësisht profilin e tij profesional.
Dëshirojmë të theksojmë se kjo lëvizje në detyrë dhe çdo vendimmarrje tjetër e Drejtorisë së Përgjithshme nuk ka asnjë lidhje me procedurën e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.
Procesi i zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, në bazë të ligjit, drejtohet nga Këshilli Drejtues dhe jo nga Drejtoria e Përgjithshme.
Drejtoria e Përgjithshme e RTSH-së shpreh vlerësimin e saj për punën e punonjësve të medies dhe mbetet e hapur të shqyrtojë, mbështetur në ligj, çdo shqetësim të punonjësve dhe organizatave e grupimeve profesionale, duke pasur si kusht qartësinë e fakteve dhe jo interpretimet e nxituara apo, më keq akoma, të ndikuara.
/rtsh.al/