Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, përmes një letre dërguar Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Akademia e Shkencave shprehet se ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas është një humbje e madhe jo vetëm për komunitetin orthodhoks në Shqipëri, por edhe për botën akademike.
“Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju shpreh ngushëllimet më të thella, për fjetjen në Zotin të Kryepiskopit të ndjerë të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastas Janullatos! Ndarja e Tij nga jeta fizike, përveçse një humbje e dhimbje për Ju dhe për mbarë komunitetin orthodhoks në Shqipëri, është gjithashtu një humbje edhe për botën akademike”, thuhet në letrën dërguar Kishës Orthodhokse.
Akademia e Shkencave vlerëson Kryepeshkopin Anastas si një figurë të shquar të akademizmit në fushën e religjionit e teologjisë, ku veç të tjerash numëron 24 libra të përkthyer në mbi 17 gjuhë të botës dhe përmbi 240 studime dhe artikuj teologjikë dhe fetarë në shkencën e historisë së feve.
“Si figurë e shquar e akademizmit në fushën e religjionit e teologjisë (anëtar nderi i Akademisë së Athinës, profesor emeritus i Universitetit Kapodistrian, doktor nderi në 19 universitete të ndryshme të botës etj), Ai njihet dhe vlerësohet edhe për 24 librat e përkthyera në mbi 17 gjuhë të botës, si dhe përmbi 240 studime dhe artikuj teologjikë dhe fetarë në shkencën e historisë së feve, dialogun ndërfetar dhe bashkekzistencën paqësore të popujve dhe feve. Tek personaliteti i Tij unik gërshetoheshin kleriku i përkushtuar me njeriun e dashur, profesori e studiuesi me drejtuesin e institucioneve religjoze, intelektuali me vizionarin që punoi për dashurinë dhe për paqen mes njerëzve. E paharruar trashëgimia e Tij në të mirë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë!”, shkruhet në letër.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndërroi jetë të shtunën (25 janar), në repartin e reanimacionit në spitalin "Evangelismos" në Athinë, ku kurohej prej 3 janarit pas një hemorragie të brendshme. Kleriku i lartë ishte i njohur për kontributin e tij në ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë prej më shumë se 30 vitesh më parë.
/rtsh.al/