Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson përparimin ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar një rritje të fortë të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) prej 3,9% në 2023 dhe projeksione mesatare prej 3,5% deri në 2029, të nxitura nga turizmi, ndërtimi dhe konsumi i brendshëm.
Inflacioni, sipas raportit, është në rrugën drejt uljes në 2% deri në fund të 2024, ndërsa borxhi publik pritet të bjerë në 50% të PBB-së deri në vitin 2029.
Sistemi financiar konsiderohet i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar.
Megjithatë, FMN-ja paralajmëron për një sërë sfidash që kërcënojnë rritjen afatgjatë.
Plakja e popullsisë, emigracioni masiv dhe produktiviteti i ulët mbeten probleme madhore, ndërsa qeverisja dhe transparenca kërkojnë përmirësime të thella.
Rritja e kredive në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ekspozimi i bankave ndaj kredimarrësve të mëdhenj përbëjnë rrezik të mundshëm për stabilitetin financiar.
FMN-ja thekson nevojën për reforma të thella, përfshirë forcimin e administrimit fiskal dhe transparencës në investimet publike.
Përshpejtimi i integrimit europian kërkon avancimin e qeverisjes, modernizimin e arsimit dhe trajnimeve profesionale, si dhe promovimin e energjisë së rinovueshme.
Sipas raportit, ndërhyrjet në strategjitë kundër korrupsionit dhe përmirësimin e infrastrukturës janë thelbësore për të siguruar një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/