RTSH 24 Live

Ekonomi

Ligji për hotelet luksoze, Majko abstenon draftin. Opozita: Dëmton konkurrencën

27/01/2025

Ligji për hotelet luksoze, Majko abstenon draftin. Opozita: Dëmton konkurrencën

Ishte radha e Komisionit të Ligjeve për të diskutuar propozimin e deputetit të PS-së, Blendi Klosi, për shtyrjen deri në dhjetor 2026 të afatit të përjashtimit nga tatimi për hotelet luksoze me 4 dhe 5 yje.

Ndryshimet ligjore të propozuara u shoqëruan me debate mes pozitës dhe opozitës, por mosdakordësi pati edhe mes deputetëve të Partisë Socialiste.

Për deputetin Majko, shtyrja e afatit është e pakuptimtë.

"Pse e sillni përsëri për një shtyrje dy- apo pesëvjeçare, siç thatë? Industria jonë e turizmit bazohet në hotele me 3 yje e poshtë, ku unë jam frekuentues i rregullt. Shpresoj që ju të kuptoni që unë do të abstenoj për propozimin tuaj," u shpreh z. Majko.

"Dua t'ju kujtoj që vetëm 12 muajt e fundit nga deputetë të veçantë të Partisë Socialiste janë depozituar projektligje me efekte shumë të rëndësishme në buxhetin e shtetit, por edhe në konkurrueshmëri," deklaroi deputetja demokrate, Dhurata Çupi.

Ndërkohe për ish-ministrin Blendi Klosi, ndryshimet e propozuara do të sjellin efekte edhe në afrimin e shqiptarëve, të cilët punojnë jashtë vendit.

"22 struktura do të operojnë në nivelin më të lartë të turizmit dhe shumë të tjera do e ndjekin këtë linjë duke rritur pagat në sektor, duke pasur menaxhim me standarde të njëjta si në gjithë Europën. Ky sektor po bëhet një magnet për të kthyer me dhjetëra e qindra shqiptarë që kanë eksperienca të ngjashme," tha z. Klosi.

Në përfundim, edhe pse me dy vota kundër dhe dy abstenime, projektligji mori miratimin e Komisionit të Ligjeve.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/