RTSH 24 Live

Sociale

Shtimi i virozave respiratore, Koçiu: Me rëndësi vaksinimi kundër gripit

21 orë para

Shtimi i virozave respiratore, Koçiu: Me rëndësi vaksinimi kundër gripit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka komentuar të mërkurën situatën epidemiologjike në vend. Sipas ministres, si në shumë vende të rajonit, edhe Shqipëria po kalon një periudhë me qarkullim të shtuar të virozave respiratore, të pritshme për këtë sezon sipas parashikimeve epidemiologjike.

Sipas Koçiut, aktualisht, në vendin tonë po qarkullojnë virusi i gripit A dhe B, RSV (Virusi Respirator Sincicial) dhe Covid-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apeloi për një kujdes të shtuar dhe parandalim të komplikacioneve të rënda, ndaj Koçiu u rekomandon qytetarëve që të kontaktojnë mjekun e familjes ose specialistin për diagnozë dhe trajtim të duhur, të vaksinohen kundër gripit sezonal për parandalim të formave të rënda të sëmundjes dhe të respektohet higjiena respiratore, e cila ndihmon në parandalim të transmetimit të infeksioneve

“Shëndeti është prioritet. Kujdesi dhe parandalimi bëjnë diferencën”, thekson Koçiu.

Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, i bashkohet këtij apeli, ndërsa bëri një pasqyrim të situatës epidemiologjike në vend.

“Vendi po kalon një intensitet të lartë të infeksioneve respiratore, të sipërme dhe të poshtme. Kemi bashkëqarkullim të virozave respiratore me predominim të gripit, RSV (Virusi Respirator Sincicial) dhe Covid-19, gripi i tipit A, B dhe virozat e tjera respiratore që japin një situatë epidemiologjike të parashikuar”, tha Tomini.

Sipas Tominit, përllogaritja nga sektori i epidemiologjisë dhe inteligjencës epidemike është vlerësuar në bazë të survejancave epidemiologjike siç është ajo e alertit për sindromat respiratore për infeksionet respiratore të rënda apo ato të ngjashme me gripin

“Popullata shqiptare është në një përqindje të lartë të vaksinuar për sa i përket, 76% e vaksinave të realizuara dhe të shpërndara në territor, ndërkohë grupet e riskut në këto nivele janë të vaksinuara. Vaksinimi është një ndër masat farmaceutike tepër të rëndësishme”, thotë ajo në video- mesazh.

Tomini u bën apel qytetarëve që të vaksinohen, sidomos grupet e riskut.

“Të qëndrojmë në shtëpi nëse jemi me shenja klinike dhe ta kalojmë sa më qetë, për të mos e kaluar në situatë klinike më të rënduar. Mbajmë kontakte me mjekun e familjes apo mjekun specialist në drejtim të shenjave klinike, monitorimi dinamik i tyre na e lehtëson situatën aktuale të qarkullimit të infeksioneve respiratore, por edhe bashkëqarkullimit viral”, u shpreh Tomini.

“Jemi në një intensitet të lartë, rreth 23 mijë infeksione respiratore të sipërme dhe të poshtme bazuar në survejancat e sipërpërmendura dhe në këtë kuadër theksojmë se vaksinimi në kohë i popullatës, pas gjithë sezonit dimëror deri në fund të marsit, grupet e riskut janë të lutura ta kryejnë. Mbajmë kontakte me mjekun e familjes, mjekun specialist, infeksionist apo pneumolog në ndjekjen dinamike të shenjave klinike. Monitorojmë çdo shenjë, e cila paraqitet gjatë këtij sezoni për shkak të bashkëqarkullimit të disa viruseve njëkohësisht”, përfundon Tomini. 

/rtsh.al/