RTSH 24 Live

Sociale

Kontributet për sigurimet shoqërore, rritet interesi nga qytetarët

29/01/2025

Kontributet për sigurimet shoqërore, rritet interesi nga qytetarët

Interesi për t'u përfshirë në skemën e kontributeve për sigurimet shoqërore duket se po fiton një tjetër dimension e shprehje interesi nga qytetarët, me qëllim përfitimin e një pensioni sado minimal.

Treguesit e kontributeve në këtë skemë për vitin 2024 janë me tejkalim, thotë kryetari i degës së kontributeve në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Kukës, Meritan Durmishi.

"Duke e krahasuar me vitin 2023 janë realizuar gati 14 milionë lekë më shumë. Interesi ka qenë i lartë sa i përket edhe numrit të kontribuesve," thotë z. Durmishi.

Dhjetori është muaji që kishte më shumë prurje edhe për shkak të emigrantëve, që vijnë për festat e fundvitit e shfrytëzojnë rastin për të kontribuar për vete e për familjarët e tyre.

Që të përfitosh një pension minimal duhen së paku 15 vite pune të siguruara. Nënat me shumë fëmijë mund ta përfitojnë pensionin në moshën 55-vjeçare.

"Kemi raste kur kanë punuar në kooperativa bujqësore: plotësojnë një 8- apo 10-vjeçar dhe pjesa tjetër paguhet nga ta për të mbuluar 7-vjeçarin, pra për të dalë në pension minimal prej 15 vitesh, pa të cilin nuk del dot si pensionist," sqaron z. Durmishi.

Pavarësisht kontributeve që akumulohen nga skemat e sigurimeve, qoftë ato të detyrueshme, por edhe vullnetare, skema e pensioneve mbetet me tregues negativ, duke mos arritur të mbulojë veten e saj, ndaj çdo vit rimbursohet nga buxheti i shtetit.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/