9.300 doza të vaksinës antigrip janë aplikuar në rrethin e Shkodrës që nga muaji tetor.
Kryevaksinatori Arben Xhabija tregon se në total kanë mbërritur rreth 14 mijë doza.
"Është e rëndësishme që të kryhet vaksinimi për të gjitha ato kategori që kanë sëmundje kronike, si dhe kategoritë mbi 60 vjeç," thotë z. Xhabija.
Javën e shkuar, nga Shkodra u raportuan 600 persona me grip nga qendrat shëndetësore.
Qytetarët apelohet që të vazhdojnë të vaksinohen, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.
"Kjo periudhë që flasim është më kulminantja për gripin. Vaksinimi ndaj gripit rekomandohet të fillohet që në vjeshtë, domethënë në tetor–nëntor, por edhe tani, ata persona që nuk e kanë aplikuar, rekomandohet të vaksinohen," shton z. Xhabija.
Vaksina nuk mungon, tha shefi i vaksinimit, pasi në rast ezaurimi mund të tërhiqen doza të tjera nga institutet publike.
Vaksina antigrip ndihmon qytetarët për ta kaluar më lehtë gripin.
/rtsh.al/