RTSH 24 Live

Politikë

Rama në Laboratorin e Medieve Digjitale: TikTok do t'i adresojë shqetësimet tona

28/01/2025

Rama në Laboratorin e Medieve Digjitale: TikTok do t'i adresojë shqetësimet tona

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër Laboratorin e Medieve Digjitale në Departamentin e Gazetarisë, Universiteti i Tiranës.

Së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rama u takua me studentë e pedagogë të gazetarisë, me të cilët improvizoi më pas një podkast, si personazh i intervistuar nga studentët lidhur me çështje të ndryshme.

Prof. Mark Marku tha se “është menduar që praktikisht këtu të prodhohen gazetarët e së ardhmes”.

“Kjo është një redaksi multimediale," u shpreh Marku "dhe ne mund të dalim direkt në transmetim prej këtu. Është një studio podkasti. Është më e mirë se podkasti juaj. Tek pjesa montazhit mund të punojnë 25-30 studentë,” tha ai, teksa theksoi se më herët ekzistonte një studio e vjetër, analoge.  

Më pas Rama realizoi edhe një intervistë në formatin e podkastit me studentët e Gazetarisë, ku foli edhe për rrjetin social TikTok dhe a është zgjidhje mbyllja e tij.

Mendoj që për momentin ne nuk kemi një zgjidhje tjetër, por ndërkohë ne jemi në një dialog me TikTok. Kemi parashtruar shqetësimet tona. E mira është që ata nuk kanë qenë refraktarë ndaj këtyre shqetësimeve dhe kemi rënë dakord që në një kohë të arsyeshme, kur ata të jenë gati, do të na paraqesin disa propozime për t’i adresuar këto shqetësime. Dhe meqë ju jeni këtu, Departamenti i Gazetarisë dhe jeni si të thuash “rojtarët e gjuhës” një nga pikat për shembull është që TikTok nuk e ka atë filtrin për gjuhën shqipe, kështu që nëse në një gjuhë tjetër nuk arrin dot fjalët që nuk duhen përdorur që të zënë hapësirën virtuale të TikTok, në shqip duke mos qenë filtri, dhe si këto ka shumë të tjera, dhe në ndërkohë unë kam përshtypjen edhe pse është një sfidë më vete sot, t’i mundësh të rinjtë në këtë fushë, nuk do ta kenë të lehtë me VPN të një vendi tjetër, kam përshtypjen. Megjithatë kurrë mos thuaj kurrë me këtë brez që po na vjen”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/