Partia Demokratike nuk do të votojë asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor, nëse mazhoranca nuk pranon që të votojnë të gjithë emigrantët ende të papajisur me dokumente biometrike të shtetit shqiptar.
Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, në emisionin "Zëri i diasporës" në RTSH 24 theksoi se askush nuk ka të drejtë t'u heqë të drejtën e votës qindra mijëra shqiptarëve.
"Sigurisht që kjo kushtëzon. Unë gjykoj që siç kemi pasur hapësira edhe në të shkuarën kemi ende ditë në dispozicion," u shpreh z. Bylykbashi.
Zyrtari demokrat shpjegoi se teknikisht procesi është lehtësisht i realizueshëm.
"Është programim teknik që ekspertët, të cilët punojnë sot me KQZ, thonë 'po, mund të bëhet'. Hiqet kufizimi për të lexuar detajet vetëm për pasaportën shqiptare. Mund të bëhet një gamë vendesh të përcaktuara ose mund të lexohen të gjitha dokumentet biometrike. Pra, siç ndodh në Rinas, vendos pasaportën, kalon kufirin, pa thënë çfarë pasaporte ke. Mjafton që ajo të lexohet," tha. z Bylykbashi.
Kujtojmë që Partia Socialiste ka depozituar në parlament disa amendamente, që afrojnë afatet për regjistrimin e kandidatëve për deputetë, që rregullojnë numërimin bipartizan të votës së diasporës dhe saktësojnë se posta për emigrantët do të paguhet nga shteti.
Ndërsa PD-ja ka depozituar në parlament disa amendamente, që parashikojnë se në 11 maj mund të votojnë të gjithë ata qytetarë që kanë dokumente të skaduara të identifikimit ose që nuk kanë asnjë dokument biometrik.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë 84 vota për të kaluar në parlament e nëse mazhoranca e opozita nuk gjejnë konsensus, asnjë prej këtyre amendamenteve nuk mund të miratohet.
Gazetare: Jonida Omeri
/rtsh.al/