"Forcimi i demokracisë përmes angazhimit të qytetarëve dhe demokratizimit të brendshëm të partive politike" ishte në fokus të një takimi mes studentëve të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër dhe ekspertëve të Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes.
Rektori Tonin Gjuraj nënvizoi se universiteti ka një rol të rëndësishëm në krijimin e një kulture politike gjithëpërfshirëse.
"Ne kemi nevojë shumë më tepër për edukim qytetar demokratik. Shprehitë demokratike janë shprehi shoqërore. Nëse ne i mësojmë ato dhe dimë si t'i përdorim në jetën e përditshme, në sferën tonë private, individualisht ose në grup apo brenda partive politike, e sigurt që do t'i zbatojmë ato nesër si pjesë të veprimtarisë tonë publike e politike. Mungesa e këtyre shprehive demokratike vijon të jetë një nga kërcënimet e demokracive të reja, siç është demokracia shqiptare," u shpreh z. Gjuraj.
Ekspertët e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes u ndalën tek sfidat aktuale të sistemit demokratik në Shqipëri dhe te nevoja për demokratizimin e brendshëm të partive politike.
"Vërtet zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet, por ato e testojnë sistemin dhe problematikat që lindin do duhet të vazhdojnë. Pra, procesi i demokratizimit të brendshëm të partive është afatgjatë," tha Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës.
"Si mund të ndërtohet një mekanizëm në nivel lokal që partitë politike të jenë të përgjegjshme, të funksionojnë demokratisht brenda tyre, të përfshijnë sa më shumë grupe interesi," deklaroi hulumtuesi Geron Kamberi.
Shkodra është pjesë e 8 bashkive në vend, ku po zhvillohen takime të tilla me të rinjtë në universitete, duke nxitur një demokraci gjithëpërfshirëse, ku dëgjohen zërat e qytetarëve të rinj dhe të gjithë shtresave të shoqërisë.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/