Gjurmët e pasojave që solli lufta naziste janë të gjalla jo vetëm në përjetimet e familjarëve të atyre që u zhdukën e u vranë, por një pjesë e historisë së qytetit të Vlorës lidhet ngushtë edhe me komunitetin hebraik.
Vlora strehoi mijëra hebrenj në tri periudha të ndryshme historie, tregon Skënder Spahiu, drejtor i muzeve në Vlorë.
"Data 27 janar nga viti 2006 është Dita e përkujtimit të atyre që u burgosën dhe u internuan në kampet e përqendrimit. Pjesa më e ndëshkuar ka qenë komuniteti hebraik, jo vetëm në Aushvic apo në Mauthauzen, por në shumë kampe, gati 1.100 të tilla si pjesë e strukturës së ushtrisë gjermane.
Pjesë e ndëshkuar ka qenë edhe kombi shqiptar. Nga qyteti i Vlorës u arrestuan dhe u internuan rreth 620 persona në kampe përqendrimi, si mësues, tregtarë, financierë, agronomë apo intelektualë të ndryshëm, të cilët u arrestuan në bazë të listave të hartuara nga prefekti i kohës.
Në kampet e përqendrimit bëheshin punë shumë të rënda. Komuniteti hebraik i vendosur në Vlorë - ka pasur tri ardhje në këtë qytet: ardhja e parë mendohet të jetë nga një anije e mbetur në det si pasojë e një stuhie dhe zbritën në zonën e Zvërnecit, në Triport; ardhja e dytë është gjatë luftës së Spanjës, dhe ardhja e tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Komuniteti hebraik u mirëprit. Ata u pajisën me pasaporta shqiptare, u veshën e u trajtuan me gjuhën e zakonet tonat. Hebrenjtë që ishin në listat e ndryshme në Shqipëri u mbrojtën. Ky komunitet jetoi në Vlorë deri në vitet 1991–92, mbas ndryshimit të sistemit politik-ekonomik të vendit. Pjesa më e madhe u larguan drejt Greqisë dhe Polonisë apo drejt Izraelit të sotëm.
Në Vlorë kanë jetuar 8 fise të komunitetit hebraik, edhe në Dukat, edhe në fshatin Trevllazër e Tragjas. Ata u strehuan dhe morën ambiente banimi. Në kujtim të tyre dhe të bashkëjetesës, në vitin 2006, Ministria e linjës shpalli monument kulture rrugën dhe godinat ku ata banuan," thotë z. Spahiu.
Vlora ka dhe "Rrugën e hebrenjve", ku banesat janë të stilit hebraik e në pronësi të familjeve hebraike, ndërsa ka nisur dhe puna për një muze dedikuar jetës së këtij komuniteti në Vlorë.
"Ne përpiqemi vazhdimisht, edhe në ambientet e Muzeut Historik dhe të traditës sonë etnografike, që të ekspozojmë objekte të ndryshme të dhuruara nga hebrenjtë para se ata të largoheshin nga Shqipëria, por edhe gjatë kohës që jetuan e punuan në vend. Pjesa më e madhe janë shkolluar e janë trajtuar si komuniteti vendas në shkolla të ndryshme, në mjekësi, agronomi. Për më tepër ne ende kemi vajza dhe djem vlonjatë që vazhdojnë të kenë lidhje shoqërore, krushqie me komunitetin," shton z. Spahiu.
Vlora ka mbajtur gjithmonë një lidhje të veçantë me komunitetin hebraik që jetoi në qytet.
Pasardhësit e atyre që u strehuan në Vlorë kthehen shpesh në qytet. Disa godina me rëndësi menaxhohen nga këto familje, si biznese në qendrën historike, dy godina që sot shërbejnë si shkolla private, galerinë e qytetit etj.
/rtsh.al/