Arkëmorti i kryepeshkopit Anastas, i shoqëruar nga një kortezh i gjatë klerikësh ortodoksë, mbërriti në Tiranë të martën pasdite (28 janar).
Besimtarë të shumtë të mbledhur përgjatë rrugës së Katedrales "Ngjallja e Krishtit" rrethuan trupin e klerikut të ndjerë, gati për t'i dhënë atij lamtumirën e fundit nën rënien e kambanave.
Në nderim të kryepeshkopit Anastas janë shpallur 5 ditë zie kishtare dhe homazhet për të do të zgjasin dy ditë. Ceremonia mortore do të zhvillohet ditën e enjte në orën 11:00.
Arkëmorti me trupin e kryepeshkopit udhëtoi rreth 20 orë derisa mbërriti në Tiranë. Kortezhi me të ndjerin sot e kaloi pikën kufitare të Kakavijës në orët e para të ditës, duke u pritur nga qindra besimtarë dhe fëmijë duke mbajtur degë dafinash në duar, si një simbol që sjell paqe dhe mirësi.
Pas ceremonisë së shkurtër në praninë e autoriteteve greke, kortezhi u nis drejt Gjirokastrës, ku u zhvillua një meshë përshpirtjeje në oborrin e katedrales së qytetit. Nderimet vijuan në disa kisha ortodokse të vendit.
Mitropoliti i Korçës, imzot Joani, është zgjedhur të mbikëqyrë përkohësisht Fronin Kryepeshkopal pas vdekjes së papritur të kryepeshkopit Anastas.
Gjatë dy ditëve homazhe, kryepeshkopin pritet ta nderojnë personalitete vendase e të huaja, pjesëmarrës nga të gjitha mitropolitë e vendit, përfaqësues nga ambasadat në vendin tonë, një delegacion nga Vatikani, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, Patriarku i Izraelit, i Aleksandrisë dhe i Qipros, si dhe përfaqësues të niveleve të larta nga Kishat e Krishtera në mbarë botën.
/rtsh.al/