Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako zhvilloi të mërkurën një takim me shtabin e emergjencave civile, për të diskutuar lidhur me problematikat e krijuara nga moti i keq.
Lajmi u bë i ditur nga vetë Sako, me anë të një postim në rrjetet sociale. Sipas saj, grupet e emergjencave janë në terren nëpër njësitë administrative.
“Problematikë të theksuar kanë rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, zona e Shkozetit, tek Gjykata e Apelit dhe pjesërisht zona e Plazhit në rrugën dytësore”, tha Sako.
Kryebashkiakja Sako u shpreh se deri tani janë angazhuar në terren zjarrfikëset e qytetit dhe ato të APD, stafi dhe mjetet e bordit të kullimit, si dhe ndërmarrjet e bashkisë, ndërsa disa familje janë evakuar drejt Konvaleshencës.
“Të gjithë punonjësit e ndërmarrjeve tona janë në terren për të kryer pastrimin dhe mirëmbajtjet e duhura në të gjitha ato zona ku ka pasur probleme që janë shkaktuar nga reshjet. Po kështu ekipet tona dhe grupet e emergjencave janë në ndihmë të qytetarëve për të gjitha problematikat e krijuara.”, shkruan Sako.
/rtsh.al/