RTSH 24 Live

Aktualitet

SHBA preu fondet për projektet e jashtme, SPAK: Mbështetemi te buxheti i shtetit

9 orë para

SHBA preu fondet për projektet e jashtme, SPAK: Mbështetemi te buxheti i shtetit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka reaguar lidhur me pezullimin e fondeve të SHBA për projektet jashtë vendit pas urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Trump.

SPAK sqaron se si një institucion i pavarur, që mbështetet “tërësisht” në buxhetin e shtetit, nuk do të preket nga ky vendim.

Sipas SPAK-ut, mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë edhe SHBA, konsiston në trajnime, viza studentore apo pajisje teknike.

Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025.

Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët  kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”, sqaron SPAK.

Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar të gjitha ndihmat për jashtë, ndërsa autoritetet amerikane po verifikojnë se cilat nga këto ndihma i përshtaten politikës së presidentit “Amerika e para”.

Ambasada amerikane njoftoi të enjten (30 janar) se nga ky vendim janë përjashtuar ndihmat për programet e ndihmës humanitare që shpëtojnë jetë.

/rtsh.al/