Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është solidarizuar me tragjedinë ajrore të ndodhur në Uashington DC, SHBA, ku një avion me 64 persona në bord është rrëzuar në lumin Potomac pas përplasjes me një helikopter ushtarak duke shënuar dhjetëra viktima.
"Tragjedia rrëqethëse në Uashington DC na ka lënë thellësisht të pikëlluar. Ngushëllimet tona më të sinqerta dhe solidariteti ynë shkojnë për familjet e prekura, popullin amerikan dhe qeverinë pas këtij aksidenti ajror tragjik. Mendimet tona janë me viktimat dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje shkatërruese", shpreh ngushëllimet përmes një reagimi në rrjetin social X, Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Në bordin e avionit të pasagjerëve ndodheshin 64 persona, 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit. Ndërsa helikopteri Sikorsky H-60 Black Hawk mbante tre personel ushtarak.
Nuk dihet ende se cili ishte shkaku i përplasjes dhe arsyeja përse kulla e vrojtimit nuk dha sinjal për helikopterin ushtarak që po fluturonte në hapësirën ku kalon avioni.
/rtsh.al/