Kjo e enjte ka rikthyer reshjet e dëborës në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit në qarkun e Shkodrës.
Në akset Bogë–Theth dhe Lepushë–Vermosh gjatë natës trashësia e dëborës së re të rënë i ka kaluar 20 cm.
Akset janë të hapura, por nevojiten goma dimërore dhe në disa segmente edhe zinxhirë.
Më shqetësuese është situata afër skarpateve të maleve, ku ka rrëshqitje gurësh si shkak i shirave të rëna, që janë pastruar nga firmat e kontraktuara.
Në bashkitë Vau i Dejës dhe Fushë-Arrëz, akset janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve të brendshme te njësisë administrative Iballe dhe Fierzë, ku është i pamundur kalimi.
Ndërsa në njësinë administrative Gruemirë të Malësisë së Madhe sipas raportimit të prefekturës së Shkodrës ka mungesë të furnizimit me energji elektrike. Sipas OSHEE-së, grupet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë.
Në Lezhë ka pasur reshje intensive shiu ku në 24 orë u shënuan 50 mm reshje duke shkaktuar vështirësi në disa akse në qytet.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/