RTSH 24 Live

Aktualitet

Kanabisi mjekësor, ngrihet grup pune për kontrollin dhe transparencën e këtij sektori

8 orë para

Kanabisi mjekësor, ngrihet grup pune për kontrollin dhe transparencën e këtij sektori

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it (AKKC), Linda Pustina, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e kontrollit dhe monitorimit të veprimtarive të lidhura me kanabisin mjekësor dhe industrial.

Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin mes dy institucioneve në shkëmbimin e informacionit për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të lidhura me kultivimin, prodhimin dhe shpërndarjen e kanabisit. Po ashtu, do të mundësohet verifikimi i pasurisë dhe figurës së punonjësve të AKKC-së dhe subjekteve të licencuara në këtë sektor.

Sipas marrëveshjes, Prokuroria do të ofrojë informacion për kandidatët dhe punonjësit e AKKC-së, si dhe për aksionarët, administratorët dhe punonjësit e subjekteve të licencuara, ndërsa AKKC do të përcjellë pranë Prokurorisë dokumentacionin e nevojshëm për hetime dhe ndjekje penale.

Për zbatimin efektiv të marrëveshjes, do të krijohet një Grup Koordinues i Përbashkët, i cili do të mbajë takime periodike për të monitoruar progresin dhe për të adresuar sfidat e mundshme në zbatimin e kësaj iniciative.

Ky bashkëpunim vjen në kuadër të përpjekjeve për të garantuar transparencë dhe ligjshmëri në sektorin e kanabisit mjekësor dhe industrial, pas miratimit të saj ligjor në vendin tonë.

/rtsh.al/