Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po planifikon që 414 persona të angazhohen drejtpërdrejt në procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt, një ditë para ditës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar se në numrin e përgjithshëm të anëtarëve të emëruar përfshihen edhe 184 anëtarët rezervë.
“Këshillat e Vendvotimeve në një qendër votimi në përfaqësi diplomatike do të përbëhen nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve përfaqësojnë subjektet politike parlamentare që i janë nënshtruar pragut zgjedhor dhe 1 tjetër është përfaqësues nga përfaqësia diplomatike. Pra, në përgjithësi, numri i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që do të angazhohen në ditën e votimi më 8 shkurt, është 230 anëtarë, prej të cilëve 184 përfaqësojnë subjektet politike dhe 46 të tjerë përfaqësitë diplomatike”, ka theksuar Elezi për RTKlive.
Sipas tij, për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në SHBA, Kanada dhe Australinë e largët.
Aktualisht është duke u zhvilluar periudha e votimit për shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar përmes postës.
Përfaqësitë diplomatike në të clat do të organizohet procesi i votimit më 8 shkurt 2025 janë: Gjermani (Berlin – ambasadë; Frankurt – konsullatë; Duseldorf – konsullatë; Munih – konsullatë; Shtutgart – konsullatë; Hamburg – konsullatë); Zvicër (Bernë – ambasadë; Gjenevë – konsullatë; Cyrih – konsullatë); Mbretëri e Bashkuar (Londër – ambasadë); Belgjikë (Bruksel – ambasadë); Austri (Vjenë – ambasadë); ShBA (Ëashington – ambasadë; Neë York – konsullatë; Ioëa – konsullatë); Francë (Paris – ambasadë; Strasbourg – konsullatë); Itali (Romë – ambasadë; Milano – konsullatë); Kanadë (Otavë – ambasadë; Toronto – konsullatë); Turqi (Ankara – ambasadë; Stamboll – konsullatë); Norvegji (Oslo – ambasadë); Slloveni (Lubjanë – ambasadë); Suedi (Stokholm – ambasadë); Danimarkë (Kopenhagë – konsullatë); Kroaci (Zagreb – ambasadë); Holandë (Hagë – ambasadë); Çeki (Pragë – ambasadë); Hungari (Budapest – ambasadë); Maqedoni e Veriut (Shkup – ambasadë); dhe Australi (Kanbera – ambasadë).
/rtsh.al/