Marjan Ndoja kontribuon në arsim prej 41 vitesh. Ai punon si mësues në Malësinë e Gjakovës.
Në fushën e arsimit, z. Ndoja thotë se Shqipëria dhe Kosova kanë bashkëpunuar mjaft mirë, pavarësisht kufirit të panevojshëm që ekziston.
"Bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë në nivel të jashtëzakonshëm. Vetëm të kalosh në qytetin e Gjakovës sheh pothuajse gjysmë për gjysmë targat e Bajram Currit, Tropojës, Hasit, Kukësit etj." tregon mësuesi Ndoja.
Kufiri nuk i ka ndalur në asnjë moment dhe Marjani shpreson për një bashkëpunim edhe më të zgjeruar jo vetëm në fushën e arsimit.
"Ky kufi ekziston mjerisht, sepse jemi një popull, një gjak, një gjuhë. Në gjithë territorin e Kosovës ka të punësuar nga Shqipëria, edhe nga Kosova në Shqipëri. Kufiri nuk duhet të ekzistojë fare," thotë z. Ndoja.
Shqipëria dhe Kosova prej shumë vitesh kanë një marrëdhënie të ngushtë tregtare, ekonomike dhe jo vetëm. Edhe rastet e punësimeve mes dy vendeve janë të shumta.
/rtsh.al/