RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti: Ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës

28/01/2025

Kurti: Ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës. Duke folur në një intervistë  për ‘El Mundo’, Kurti ka theksuar se Kosova është e angazhuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe ky rrugëtim sipas tij nuk duhet të kushtëzohet nga marrëdhëniet me Serbinë.

Është paradoksale që Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një vend pro-evropian që kundërshton ndikimin rus, duke mbajtur një pozicion afër Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës Krahas shpalljes së pavarësisë, historia jonë e re përfshin dy momente vendimtare. E para ishte çlirimi në vitin 1999, i mundësuar falë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm, spanjollit Javier Solana. Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi se Millosheviçi donte të kryente një gjenocid të dytë, këtë herë në Kosovë, të ngjashëm me atë që ndodhi në Srebrenicë. Kthesa e dytë erdhi në shtator 2012, kur u hoq gjendja e mbikëqyrjes ndërkombëtare”, ka theksuar Kurti.

Sipas Kurtit, vendet e tjera, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, që kanë lidhje edhe më të forta me Serbinë sesa Spanja, e kanë njohur Kosovën.

Ky precedent tregon se njohja e Kosovës nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë , por nga një vendim sovran i bazuar në parimet e drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Nëse Spanja njeh Kosovën, do të ishte një hap i nënkuptuar drejt stabilitetit brenda Ballkanit. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në tryezën e negociatave në Bruksel dhe kjo do të ishte një përgjigje perfekte për ata që kërkojnë të dobësojnë integritetin dhe bashkimin e Evropës”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se Spanja dhe Kosova nuk kanë asnjë problem bilateral mes tyre. Prandaj sipas tij, nuk ka asnjë problem midis dy vendeve që mund të çojë në një bllokim të njohjes.

 “Republika e Kosovës dhe Spanja nuk kanë asnjë problem bilateral. Prandaj, nuk ka asnjë problem midis dy vendeve që mund të çojë në një bllokim të njohjes. Mendojmë se do të ishte mirë që Spanja t'i bashkohet shumicës së shteteve evropiane që e njohin Kosovën”, ka shpjeguar Kurti.

/rtsh.al/