Gjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri.
Hadri u vra në Bruksel para 35 vjetësh.
Gjykata ka konstatuar se Hadri ishte vrarë me urdhër të Shërbimit të zbulimit të ish- Jugosllavisë. Këtë e ka bërë të ditur familja Hadri e cila për shumë vite ka kërkuar drejtësi para gjykatave të Belgjikës për vrasjen e Enverit. Fajësia e Vukotiqit dhe Drashkoviqit ishte konfirmuar nga juria të martën ndërsa dënimi u shpall të mërkurën.
Juria këto vendime i ka marrë pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe shqyrtimit të provave që kishet paraqitur prokuroria por edhe avokatët e mbrojtjes.
Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar edhe në vitin 2016 me burgim të përjetshëm por dy të palët ishin ankuar prandaj edhe ishte përseritur gjykimi.
Bozhidar Spasiq, zyrtar i lartë i Shërbimit të zbulimit nga Beogradi, nuk është ankuar, që do të thotë se dënimi me burgim të përjetshëm për të mbetet në fuqi.
Të dënuarit ndodhen në Serbi dhe gjykimi në Bruksel është zhvilluar në mungesë.
Enver Hadri u vra më 15 shkurt të vitit 1990 në Bruksel nga të shtënat nga një makinë.
Hetimet e kryera, ndërkohë, sollën përfundimin se vrasja ishte bërë me motive politike, e organizuar nga shërbimet jugosllave dhe me mbështetje logjistike nga nëntoka e Beogradit.
Enver Hadri ishte kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë dhe një emigrant politik që mblodhi dokumente për të dëshmuar dhunën e regjimit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Vrasja e Enver Hadrit ishte vlerësuar si një nga pesë vrasjet më të njohura politike të kryera nga shërbimi sekret jugosllav. REL
Kurti: Serbia duhet t’i dorëzojë vrasësit e Enver Hadrit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Serbia të dorëzojë vrasësit e veprimtarit shqiptar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri.
Gjykata Penale në Bruksel ka shpallur të mërkurën sërish dënimin me burgim të përjetshëm për Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin, të cilët akuzohen për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut, Enver Hadri.
Me një ragim në faqen e facebook, Kurti shkruan se, “Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”.
Gjykata Penale në Bruksel ka konfirmuar burgimin e përjetshëm për dy autorët e vrasjes – Veselin Vukotiç dhe Andrija Drashkoviç – të cilët, së bashku me ish-shefin e operacioneve të posaçme të policisë sekrete jugosllave, Bozhidar Spasiç, ishin dënuar në vitin 2016 për ekzekutimin e aktivisit shqiptar në vitin 1990 në Bruksel.
Megjithatë, pavarësisht konfirmimit të fajësisë, autorët e këtij krimi vazhdojnë të jenë të lirë sepse Serbia nuk i ka dorëzuar ata në Belgjikë. Ka pasur edhe të dyshuar të tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Hadrit, por dy prej tyre janë vrarë gjatë viteve ’90 në Serbi pas një përplasjeje ndërmjet grupeve kriminale të nëntokës.
Gjykata e Belgjikës në vitin 2016 kishte konstatuar se Hadri ishte vrarë nga pjesëtarë të krimit të organizuar që operonin nën hijen e regjimit të atëhershëm jugosllav, dhe se kjo vrasje ishte porositur nga Serbia për qëllime politike për shkak të aktivitetit të Hadrit për liri dhe drejtësi, në mbrojte të të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.
Hadri ishte vrarë më 22 shkurt të vitit 1990 në zemër të Brukselit. Vrasja e tij nga strukturat e sigurimit të shtetit të ish-Jugosllavisë ishte e ngjashme me vrasjen e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, dhe veprimtarit Kadri Zeka në Gjermani.
/rtsh.al/