RTSH 24 Live

Kosovë

Osmani: Sulmet hibride po ndikojnë në qëndrueshmërinë kombëtare

8 orë para

Osmani: Sulmet hibride po ndikojnë në qëndrueshmërinë kombëtare

Presidentja Vjosa Osmani thotë se mbrojtja nga sulmet hibride është shumë e rëndësishme, por duhet investuar në teknologji.

Kryeshtetarja i bëri deklaratat në konferencën e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes, ku u diskutua mbi qëndrueshmërinë kombëtare dhe sfidat e vendit.

Osmani u shpreh se vendit i duhet një arkitekturë sigurie që të jetë i përgatitur për t’u përballuar me çdo lloj sfide.

"Qëndrueshmëria kombëtare nuk është vetëm një koncept teorik, por është themeli mbi të cilin ndërtohet siguria, zhvillimi dhe e ardhmja jonë si shtet. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara edhe qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme, mbrojtja nga sulmet hibride është po ashtu e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investoj në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme me theks në sigurinë energjetike," tha presidentja Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti theksoi se qëndrueshmëria kombëtare nuk është opsion që duhet zgjedhur, por domosdoshmëri shtetërore.

"Vitet e fundit kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar qëndrueshmërinë tonë kombëtare, ku është një ndër elementet kryesore të mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Kjo mbrojtje nënkupton përgatitjen e gjithë shoqërisë për të përballur situata krizash dhe emergjencash. Në këto kohë sfidash përgjigja jonë duhet të jetë kombinimi i vendosmërisë dhe unitetit," deklaroi z. Kurti.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u shpreh se qëndrueshmëria kombëtare është kapacitet për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themele të forta.

"Në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, qëndrueshmëria s’është më një opsion, por domosdoshmëri. Qëndrueshmëria përkufizohet jo vetëm si aftësia për t’u përballur me tronditjet dhe kërcënimet, por mbi të gjitha si një kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë, për të mbrojtur vlerat tona dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta," tha ministri Maqedonci.

/rtsh.al/