Ka mbërritur në Kosovë një njësi me anëtarë të forcës europiane të xhandarmërisë, të cilët do të ndihmojnë në përmbushjen e misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX) për të mbështetur stabilitetin në vend dhe për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Njësia e Specializuar Policore, në të cilën bëjnë pjesë forca të xhandarmërisë kombëtare franceze, të shërbimit lituanez të sigurisë publike, të rojës kombëtare të Portugalisë, si dhe karabinierë italianë, i bashkohet kështu njësisë së specializuar policore europiane me forca të policisë polake, që ndodhen prej kohësh në Kosovë.
Lajmi për nisjen drejt Kosovës të njësisë së re të specializuar policore u bë i ditur nga EULEX që në datën 14 janar.
Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë është i dyti pas policisë së Kosovës, që ndërhyn në situata të cenimit të sigurisë, ndërsa misioni i drejtuar nga NATO-ja, KFOR, është i treti.
/rtsh.al/