Fushata elektorale në Kosovë vijon të jetë e ashpër në aspektin e deklaratave, por edhe shpërdoruese për sa i përket fondeve publike, teksa vendi ndodhet më pak se dy javë larg zgjedhjeve parlamentare.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PAZP) raporton se subjekte të ndryshme politike janë penalizuar në vlerën 304,4 mijë euro gjithsej nga data 11 janar, kur u hap fushata zgjedhore.
Nga 63 vendime të marra deri më 27 janar, njoftoi PAZP-i, "subjekti politik i gjobitur më shumë është LDK-ja, me 15 vendime, të cilat kanë rezultuar me totalin e gjobave të shqiptuara në shumën prej 93 mijë euro".
LDK-ja është penalizuar edhe për keqpërdorimin të resurseve publike, ndërsa përdorimi i gjuhës së urrejtjes po i kushton mjaft partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
"LLV-ja është dënuar me 20 mijë euro për nxitje dhe përdorim të gjuhës së urrejtjes," tregon Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Mesditën e së martës në PZAP mbërritën 38 ankesa të reja për subjektet, 16 prej tyre të depozituara nga LVV-ja kundrejt subjekteve të tjera, 4 ankesa nga shoqëria civile dhe 4 nga partitë e minoriteteve.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë janë në garë 28 forca politike dhe rreth 2 milionë qytetarë do të kenë të drejtën e ushtrimit të votës.
/rtsh.al/