RTSH 24 Live

Aktualitet

Vota e diasporës, ambasadori Zalba: Hap i duhur, të gjithë kanë të drejtë të votojnë

27/01/2025

Vota e diasporës, ambasadori Zalba: Hap i duhur, të gjithë kanë të drejtë të votojnë

"Vota e diasporës është e rëndësishme, pasi çdo shqiptar ka të drejtë të votojë kudo që të ndodhet."

Ky ka qenë mesazhi që dha ambasadori spanjoll në Shqipëri, Albaro Zalba, teksa ndodhej në Universitetin e Elbasanit, që së shpejti pritet të nisë një bashkëpunim me Spanjën për të bërë të mundur që shumë studentë të përfitojnë nga projektet Erasmus.

"Kjo është përgjigjja ime personale: unë e shoh shumë të rëndësishme votën e diasporës. Qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë duhet t'u jepet mundësia të votojnë si ata shqiptarë që jetojnë në Spanjë apo në vende të tjera," tha ambasadori spanjoll.

Studentët që zgjedhin Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan nuk do të kenë vetëm mundësi studimi, por edhe punësimi në Spanjë.

"Kjo është dëshira ime, është objektivi im për sa i përket bashkëpunimeve midis universiteteve spanjolle dhe shqiptare. Në rolin e ambasadorit do të bëj të pamundurën që të mundësoj këto bashkëpunime," shtoi z. Zalba.

Ambasadori i Spanjës, pasi zhvilloi një takim me akademikë dhe profesorë të universitetit, tha se në një të ardhme të afërt do të mundësohen edhe kurikula akademike në gjuhën spanjolle.

/rtsh.al/