Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit ka kërkuar seancë dëgjimore ditën e enjte me anëtarët e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, për të bërë publike para deputetëve të gjitha procedurat që po ndiqen për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së.
Kryetarja e Komisionit, deputetja demokrate Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj tha se Komisioni nuk ndërhyn në përzgjedhjen e kandidatëve, por kërkon procedura transparente siç e parashikon ligji. Në të njëjtën linjë mendimi e qëndrimi ishte edhe nënkryetarja socialiste, Evis Kushi, e cila tha se deputetët kërkojnë proces ligjor në çdo moment e nuk ndërhyjnë në kandidatura.
"Ne si Komision nuk ndërhyjmë në garë. Ne si Komision nuk kemi asnjë preferencë për asnjë kandidat. Ne si Komision do të respektojmë votën e Këshillit Drejtues për këdo kandidat që ata do të zgjedhin për Drejtor në rast se i plotëson kriteret, por ne si Komision kemi një mision: do të shikojmë zbatueshmërinë e ligjit," deklaroi znj. Zhupa.
"Sigurisht, ndaj të njëjtin mendim që nuk mund të ndërhyjmë në proces, nuk kemi preferenca për emra të caktuar. Ne kemi interes vetëm që procesi të realizohet vetëm sipas ligjit dhe Statutit," shtoi znj. Kushi.
Deputetja Zhupa propozoi që t'i dërgohej një shkresë zyrtare anëtarëve të Këshillit Drejtues, të cilët, sipas saj, deri në informimin e Komisionit të Medies, duhet të ndërpresin procedurat e nisura.
"Ky Komision ka përgjegjësi për Këshillin Drejtues, sepse jemi ne që i zgjedhim ata, dhe jemi ne që i shkarkojmë ata, dhe jemi ne që i monitorojmë ata, dhe jemi ne që i japim paratë publike Radio Televizionit Shqiptar. Ai nuk është pronë private e anëtarëve të Këshillit," tha deputetja Zhupa.
"Të bëhemi bashkë për ta ndjekur dhe për të mos lejuar paligjshmëri dhe shkelje të tilla, sepse Radio Televizioni Shqiptar është një institucion me interes të lartë publik dhe ne kemi përgjegjësinë edhe t'i caktojmë, t'i zgjedhim, por edhe përgjegjësinë që t'i lirojmë sipas ligjit, por kemi edhe detyrimin e përgjegjësinë që t'i monitorojmë," u shpreh deputetja Kushi.
"Ne nga informacioni që kemi është që nga 10 kandidatë, 5 kandidatë i plotësonin kriteret dhe kalonin në fazën tjetër dhe 5 kandidatë nuk i plotësonin kriteret. Ky është informacioni i fundit që ne kemi, deri diku jozyrtare, përveç një njoftimi publik që ka bërë pas debatit Radio Televizioni Shqiptar. 5 kandidatët, të cilët plotësojnë kriteret, nuk lejohet që të votojnë mbi kriteret. Ata duhet të votohen, zgjidhen apo jo Drejtor," reagoi znj. Zhupa.
"Ne të marrim informacion zyrtar ekzakt se çfarë ka ndodhur dhe nëse do të rezultojë që janë shkelur rëndë procedurat e respektimit të kritereve të kandidatëve për Drejtor atëherë duhet reaguar ndaj vetë Këshillit, sepse siç u tha paraprakisht, Këshilli nuk mund të shkelë kriteret. Këshilli mund të përzgjedhë pasi të paraqiten platformat, por që t'i ndalojë paraprakisht është e palejueshme," deklaroi deputeti Petro Koçi.
Mbledhja në Komisionin e Medies u zhvillua një ditë para seancës plenare të Kuvendit.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/