Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi priti në takim këtë të enjte, në ambientet e KQZ-së përfaqësues të UN Women për të diskutuar rritjen e pjesëmarrjes së grave në politikë.
Drejtuesi i UN Women Albania, z. Michele Ribotta, paraqiti rekomandime për fuqizimin e grave, duke theksuar nevojën për mundësi të barabarta dhe mbështetje për gratë që duan të futen në politikë.
Celibashi bën të ditur se një nga iniciativat kryesore që diskutuan është krijimi i spoteve dhe materialeve informative dhe organizimi i trajnimeve specifike për gratë që planifikojnë të kandidojnë në zgjedhjet e 2025.
“Këto trajnime do të ofrojnë udhëzime praktike për plotësimin e dokumentacionit, organizimin e fushatave zgjedhore dhe përballjen e sfidave si gjuha e urrejtjes dhe intimidimi, veçanërisht në rrjetet sociale. Vlerësova bashkëpunimin me UN Women dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të nismave të përbashkëta për të siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave në politikë“, bën të ditur Celibashi.
/rtsh.al/