Një delegacion i përbërë nga 18 anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nën udhëheqjen e deputetes austriake, Petra Bayr, do të monitorojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë që është caktuar të mbahet më 9 shkurt.
Në bazë të njoftimit për mediat vendase, bëhet me dije se delegacioni do të qëndrojë në Kosovë nga 7 deri më 10 shkurt, dhe gjatë kësaj kohe do të zhvillojë takime me liderët e partive politike, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryevëzhguesin e misionit të Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve, si dhe përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile.
Gjithashtu, përgjatë misionit vëzhgues, delegacioni 18-anëtarësh do të mbështetet edhe nga një përfaqësues i Komisionit të Venecias, grupi i ekspertëve ligjorë të pavarur të Këshillit të Evropës, i cili do të ofrojë këshilla ligjore mbi procesin zgjedhor.
Ndryshe, zgjedhjet në Kosovë do t’i vëzhgojë edhe BE-ja. E përveç delegacioneve vëzhguese respektive, në Kosovë kanë mbërritur edhe forca shtesë për të përforcuar Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Forcën e NATO-s (KFOR).
/rtsh.al/