RTSH 24 Live

Kosovë

Grenell akuzon Kurtin: Qeveria e Kosovës nuk ka qenë partnere e besueshme

3 orë para

Grenell akuzon Kurtin: Qeveria e Kosovës nuk ka qenë partnere e besueshme

I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për partnerë të besueshëm në Ballkan dhe se qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk është një prej tyre.

Grenell theksoi përmes një shkrimi në rrjetin social "X" se kritikat ndaj Kurtit vijnë nga të dyja partitë politike amerikane, që i konsiderojnë veprimet e tij "destabilizuese për rajonin, të njëanshme dhe të pakoordinuara", duke përfshirë veprimet në veri të Kosovës, si zëvendësimin e targave serbe dhe heqjen e dinarit serb.

Grenell po ashtu e akuzoi Kurtin për kundërshtimin e politikave të SHBA-së.

"Komuniteti ndërkombëtar është bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po shtrihen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë, për shkak të Kurtit. Kurti gjithashtu ka dalë kundër çdo ideje të ofruar nga presidentët Clinton, Obama, Biden dhe Trump," shkroi Grenell në faqen e tij "X".

Më herët kryeministri i Kosovës i ka mbrojtur veprimet e ndërmarra nga qeveria duke thënë se ato ishin të nevojshme për zbatimin e ligjit në veri dhe ka insistuar se Kosova ruan marrëdhënie të forta me SHBA-në, pavarësisht kritikave.

Ai ka pretenduar se dallimet mes administratave Biden dhe Trump lidhen me politika të brendshme, ndërsa bashkëpartiakët e tij, si Glauk Konjufca, kanë akuzuar administratën Biden për dëmtim të reputacionit të Kosovës kundrejt Serbisë.

Tensionet mes Grenell dhe Kurtit janë theksuar që nga vitet e kaluara, duke përfshirë periudhën kur Kurti e humbi besimin e qeverisë në vitin 2020.

Gazetare: Artur Mata

/rtsh.al/