RTSH 24 Live

Kosovë

Lajçak: Kosova e Serbia të jenë krenare për Marrëveshjen e Ohrit

5 orë para

Lajçak: Kosova e Serbia të jenë krenare për Marrëveshjen e Ohrit

Ish-ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak i cili ka përfunduar zyrtarisht mandatin, duke ia dorëzuar detyrën pasardhësit të tij, diplomatit Peter Sorensen, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të jenë krenare për Marrëveshjen e Ohrit.

Pas gati pesë vjetësh në krye të dialogut Kosovë-Serbi si lehtësues i Bashkimit Evropian, Lajçak e ka përshkruar periudhën si emisar si mision sfidues, por të shpërblyer, duke vënë në dukje rëndësinë e arritjeve në këtë proces, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit në mars të vitit të kaluar.

“Pas 4 vjetësh e 10 muajsh si lehtësues i dialogut i Bashkimit Evropian, zyrtarisht po ia dorëzoj detyrën pasardhësit tim, Peter Sorensen. Ka qenë mision sfidues, por i shpërblyer, dhe si Kosova ashtu edhe Serbia mund të jenë krenare për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social ‘X’.

Ndërsa, Peter Sorensen pritet të vazhdojë angazhimin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe për avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

/rtsh.al/