Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se funksionimi i Gjykatës Speciale në Hagë nuk është i rrezikuar për shkaqe buxhetore.
Sipas zyrtarëve evropianë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kontribuojnë financiarisht në shpenzimet e funksionit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Shpenzimet rrjedhëse të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar mbulohen nga Bashkimi Evropian, sipas buxhetit të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. SHBA-të nuk po kontribuojnë në kostot e funksionimit të këtij institucioni”, shpjegon në një përgjigje me shkrim nga selia e Komisionit Evropian.
Ndërkaq, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte urdhëruar ngrirjen e fondeve federale, përfshirë ndalimin e dërgimit të huave dhe ndihmave financiare, vendim ky i cili dy ditë më vonë u pezullua.
Ky vendim kishte shtruar pikëpyetjet lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara, ku gjykohen edhe ish-liderët shtetëror të Kosovës. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se Dhomat e Specializuara, si dhe Prokuroria e Specializuar funksionojnë me buxhet të Bashkimit Evropian, si dhe disa shteteve tjera donatore, që financojnë programe të caktuara. Aktualisht buxheti vjetor numëron gati 100 milion euro, ndërsa BE-ja rithekson rëndësinë dhe mbështetjen ndaj punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
/rtsh.al/